"SHISH përgjoi familjarë të prokurorëve të SPAK"

“SHISH përgjoi familjarë të prokurorëve të SPAK”

Mbledhja 90-minutëshe e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, ku morën pjesë kryeministri Edi Rama dhe kreu i SPAK, Klodian Braho, duket se ka qenë më e tensionuar nga sa u paraqit në deklaratën zyrtare të Presidencës. Sipas burimeve të cituara nga Lapsi.al, Rama ka kundërshtuar mënyrën e trajtimit të ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni, ndërsa Braho ka këmbëngulur se masa e “arrestit shtëpiak” ishte e nevojshme për shkak të dyshimeve për përfshirjen e saj në një grup kriminal.

Sipas të njëjtave burime, Braho ka deklaruar në mbledhje se SHISH dyshohet se ka kryer përgjime të paligjshme ndaj familjarëve të dy prokurorëve të SPAK që hetojnë dosjen e abuzimeve në AKSHI, ku është përmendur edhe biznesmeni Ergys Agasi. Sipas kreut të SPAK, përgjimet dyshohet se synonin ushtrimin e presionit ndaj prokurorëve që po hetojnë çështjen.

Nga ana tjetër, Rama ka vijuar të shprehë shqetësimin për mënyrën e ndërhyrjes ndaj drejtueses së shërbimeve sekrete, duke argumentuar se SPAK është nxituar në procedurat e ndjekura. Në deklaratën pas mbledhjes, Presidenca theksoi se çështjet individuale nuk duhet të shndërrohen në krizë besimi ndaj institucioneve të sigurisë, ndërsa debati publik vijon të përqendrohet te përplasja mes institucioneve dhe dyshimet për cenimin e strukturave të sigurisë kombëtare.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit