Shiste drogë pranë kopshtit, edukatorët vënë në alarm policinë dhe arrestojnë shqiptarin

Shiste drogë pranë kopshtit, edukatorët vënë në…

Një 22-vjeçar shqiptar, i cili udhëtonte vazhdimisht drejt Gjermanisë në kërkim të një jete më të mirë, është dënuar me 1 vit e 11 muaj burg për trafik droge. Arrestimi i tij u bë i mundur edhe falë vigjilencës së stafit të një kopshti fëmijësh në Freiburg.

I riu kishte zgjedhur hapësirën pranë kopshtit, ku qëndrojnë fëmijë nga një deri në gjashtë vjeç, për të shitur drogë. Dy javë para arrestimit, një edukatore kishte njoftuar policinë për lëvizje të dyshimta në zonë. Edhe pse personat e dyshuar ishin larguar para mbërritjes së efektivëve, stafi vazhdoi të monitoronte situatën.

Kur policia ndërhyri sërish rreth dy javë më vonë, 22-vjeçari u kap me 34 gramë heroinë dhe 64 gramë kokainë, të ndara në doza për shitje. Në çantën e tij u gjetën gjithashtu 540 euro cash, për të cilat ai pranoi se ishin të ardhura nga shitja e mëparshme e drogës.

Para gjykatës, i riu pretendoi se nuk kishte pasur më parë lidhje me drogën. Ai tha se gjatë një udhëtimi me autobus nga Shqipëria drejt Kassel-it kishte njohur një vajzë polake në Freiburg, e cila më pas e kishte prezantuar me persona të përfshirë në trafikun e drogës. Sipas deklarimit të tij, ata i kishin siguruar lëndët narkotike dhe ai duhej t’u kthente 2,500 euro nga fitimet.

Një oficere e policisë kriminale deklaroi se në zonën e Freiburgut veprojnë grupe shqiptare të trafikut të drogës, të cilat sjellin edhe lëndët narkotike, edhe personat që i shesin ato në rrugë.

Gjykata nuk e konsideroi bindëse versionin e 22-vjeçarit, duke vënë në dukje mospërputhje në deklaratat e tij. Për shkak të mungesës së një perspektive të qëndrueshme për jetën e tij të ardhshme, gjykata vendosi që dënimi të mos pezullohej.

Vendimi nuk është ende i formës së prerë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit