
Prokuroria e Tiranës ka dhënë pretencën për 5 të pandehurit e akuzuar për shitblerjen e varreve në Tufinë. Të akuzuarit merrnin nga 50 deri në 200 mijë lekë të reja për një varr, shifra të çmendura dhe të papërballueshme për familjet e gjendura në fatkeqësi të ndryshme. Shkalla e korrupsionit niste nga punonjësit e varrezave, shefat e sektorit si dhe drejtori i Agjensisë Funerale.
Prokuroria kërkon dënimin me 2 vite burg të Gazmend Dajës me detyrë punonjës varrezave Tufinë pranë Agjensisë së Shërbimeve Funerale të Bashkisë Tiranë. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ky dënim i reduktohet në 1 vit e katër muaj burg.
Të njëjtën masë dënimi rrezikon edhe Latif Shehu, përgjegjës Sektori i Varrezave Tufinë në Agjensisë e Shërbimeve Funerale që dyshohet të ketë konsumuar veprat penale të shpërdorit të detyrës dhe korrupsion. Alban Ajazi rrezikon dënimin me 1 vit e katër muaj burg, për korrupsion dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm, ndërsa për Bujar Licën Prokuroria kërkoi përfundimisht 9 muaj burgim.
I pandehuri Eliodor Ndini, Drejtori i varrezave të Tufinës dhe Endri Milla po gjykohen në një proces të ndarë, pasi nuk kërkoi të përfitonte nga procedura e përshpejtuar.