Shkatërrohet klani shqiptar që trafikonte drogë nga Gjermania në Itali

Shkatërrohet klani shqiptar që trafikonte drogë nga…

Një grup kriminal shqiptar që trafikonte drogë nga Gjermania në Itali është shkatërruar nga një operacion ndërkombëtar anti-drogë, i shtrirë edhe në vendin tonë. Në total janë arrestuar 13 persona, ku 3 prej tyre janë kapur nga Forcat Operacionale në qytetin e Vlorës. Të tre rezultojnë se ishin pjesë e grupit kriminal që trafikonte kanabis e kokainë drejt Italisë.

Në kuadër të operacionit ‘Sammogia’, të iniciuar nga policia Italiane, është sekuestruar 26.5 kg kokainë dhe 11 kg kanabis. Ndërkohë, 22 persona janë në hetim, ndërsa arrestimet përveç Vlorës, janë kryer edhe në Itali dhe Gjermani.  

Në pranga në Vlorë kanë rënë dy vëllezërit Ledian dhe Florjan Muho, 33 dhe 38 vjeç, si edhe 52-vjeçari Landi Kalemaj. Për të tre, Gjykata e Bolonjas ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.

“Pjesëtarë të një organizate kriminale në Itali, për trafikim narkotikësh, lokalizohen në Vlorë, kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas. Gjatë operacionit ndërkombëtar “Sammogia”, në total, në Shqipëri, Itali dhe Gjermani, u arrestuan 13 shtetas”, njoftoi Policia e Shtetit.

Mediat italiane kanë zbardhur edhe detaje nga operacioni, ku sipas tyre autoritetet kanë monitoruar disa lëvizje korrierësh nga Gjermania në Itali, teksa shpërndanin drogë. Nga hetimet u konstatua se korrierët shqiptarë, për llogari të organizatës kriminale, shpërndanin çdo javë kokainë dhe kanabis në Itali, duke ua dorëzuar blerësve e bashkatdhetarëve të tyre.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit