Shkelma dhe kacafytje/ Miqësorja në Gjirokastër ndërpritet vetëm pas 24 minutash

Shkelma dhe kacafytje/ Miqësorja në Gjirokastër ndërpritet…

Luftëtari dhe Këlcyra luajtën vetëm 24 minuta në miqësoren e djeshme në stadiumin “Gjirokastra”. Ndërhyrjet e rënda të lojtarëve miq në dëm të futbollistëve bluzinj u bënë shkak për ndërprerjen e miqësores. Si për ironi, përbërja e skuadrës që militon në Kategorinë e Dytë është thuajse e gjitha me futbollistë nga Gjirokastra, të cilët duke mos gjetur hapësira te Luftëtari, aktivizohen në skuadrat fqinje.

Është dashur ndërhyrja e gabuar e futbollistit të Këlcyrës, Shefqet Boni, në dëm të Amer Dukës për përplasjen verbale mes lojtarëve të të dyja formacioneve respektive

Në këtë moment kanë ndërhyrë stafet teknike për të eliminuar përplasjet fizike mes lojtarëve dhe për më tepër ndonjë incident të mundshëm. Loja e rëndë dhe ndërprerjet e shumta detyruan stafet për mosvazhdimin e takimit.

Pas më shumë se pesë minutave ndërprerje të ndeshjes, trajnerët Neritan Novi dhe Robert Spahiu arritën në konkluzionin për mosvazhdimin e ndeshjes me qëllim shmangien e grumbullimeve të lojtarëve për arsye të pandemisë së Koronavirusit. Në minutën e 24-t të pjesës së parë, ku u ndërpre edhe ndeshja Luftëtari-Këlcyra, rezultati i takimit ishte 0-0.

Trajneri i Luftëtarit Neritan Novi e nisi lojën me një formacion krejtësisht të ri. Loja mes dy skuadrave nisi me ritmin imponues të Luftëtarit, teksa për minuta me radhë gjirokastritët u shfaqën kërcënues përballë portierit Buxaj. Në minutën e 17-të nga kombinimi tresh Tahiraga – Lika – Dragoshi vjen gjuajtja potente e këtij të fundit, e cila përfundon pak centimetra në krahun e majtë të portës së mbrojtur nga Buxaj.

Në minutën e 19- të Lika shkarkon fuqishëm të djathtën, por topi “stampohet” në traversën e portës së Këlcyrës. Nuk ishte e thënë që ky takim të vazhdonte gjatë, që u nis si miqësore, por përfundoi në sherr masiv dhe për këtë shkak u ndërpre në minutën e 24-t. Por trajneri Neritan Novi nuk u mjaftua me minutat e testit miqësor, teksa me kontingjentin e lojtarëve në dispozicion ka vijuar me lojën brenda familjes, ndërsa Këlcyra u largua nga stadiumi.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit