Shkëlqimi dhe rënia e Kombëtares së Sylvinhos në dy vite, ‘shuhen’ golat dhe goditjet drejt portës

Shkëlqimi dhe rënia e Kombëtares së Sylvinhos…

Kombëtarja shqiptare e futbollit ishte në 2023 në formë të lartë, me një sulm që surprizoi të gjithë. Golat e veçantë dhe emra si Jasir Asani, Nedim Bajrami dhe Kristian Asllani, Arbër Hoxha e Mirlind Daku u bënë të njohur në Europë apo mbrojtja e Ajetit, Gjimshitit dhe Mitajt tërhoqi vëmendjen e çdokujt, ndërsa energjia dhe ambicia e trajnerit Silvinjo reflektohej në çdo aksion dhe çdo minutë të lojës.

Në gjashtë ndeshjet e para të 2023-s, Shqipëria shënoi 11 gola  më shumë se kurrë më parë  dhe pësoi vetëm 3. Kundërshtarët e mposhtur përfshinë Moldavinë, Ishujt Faroe, Çekinë, Poloninë e Lewandowskit dhe Bullgarinë, duke treguar një skuadër sulmuese dhe të organizuar.

Në 2024, edhe për shkak të pjesëmarrjes në finalet e Kampionatit Europian, numri i golave ra pak, duke marr parasysh dhe kundërshtarët e fortë. Në gjashtë ndeshjet e vitit të kaluar, Shqipëria shënoi 9 gola dhe pësoi po 9, pas humbjeve në miqësore ndaj Suedisë dhe Kilit, si dhe përballë rivaleve të fortë si Italia, Kroacia dhe Spanja.

Në 2025 situata u rëndua ndjeshëm. Ekipi ka shënuar vetëm 6 gola në 6 ndeshje mesatarisht një gol për ndeshje  ndërsa mesataret e gjuajtjeve dhe goditjeve në portë janë ulur ndjeshëm. Rivali ka qenë nga më të ndryshmit: Anglia e fortë, Serbia, Letonia dhe Andorra, por performanca e skuadrës mbetet larg nivelit të mëparshëm. Për më tepër në këtë vit nuk mbeten për tu harruar as penalltitë e humbura, kujtojmë atë kundër ndeshjes me Serbinë.

Shpresat janë tek tri ndeshjet e fundit të vitit në eliminatoret e Kampionatit Botëror: Serbia më 11 tetor ku na ‘pret’ Beogradi, Andorra më 13 nëntor dhe Anglia më 16 nëntor në “Arenë”. Tani varet nga sulmi, organizimi në fushësi dhe ndërrimet e duhura dhe në kohë të trajnerit  për  rikuperimin e  ritmit të golave dhe  rikthimit te  fryma e 2023.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit