Shkencëtarët amerikanë kanë përdorur inteligjencën artificiale (AI) për të krijuar për herë të parë viruse funksionale që nuk ekzistojnë në natyrë, duke demonstruar një aftësi që studiuesit thonë se mund të avancojë mjekësinë, por gjithashtu të paraqesë rreziqe serioze për biosigurinë.
Studiues nga Universiteti Stanford dhe Instituti Broad i MIT dhe Harvard përdorën inteligjencën artificiale për të projektuar mijëra gjenome të plota virale, sipas një studimi të publikuar të enjten në revistën Science.
Pothuajse 300 prej këtyre modeleve u sintetizuan kimikisht dhe u testuan në laboratorë, duke prodhuar 16 viruse funksionale.
Viruset ishin bakteriofagë, organizma që infektojnë bakteret dhe jo njerëzit, dhe u bazuan në një bakteriofag natyror të njohur si ΦX174. Disa nga versionet e projektuara nga AI rezultuan më efektive sesa bakteriofagët natyrorë në shkatërrimin e llojeve të bakterit E.coli që kishin zhvilluar rezistencë.
Inteligjenca artificiale ishte përdorur më parë gjerësisht për projektimin e gjeneve dhe proteinave individuale, por studiuesit thanë se ky ishte demonstrimi i parë që modelet gjeneruese mund të projektojnë një gjenom të tërë viral funksional.
Fatemeh Vafaee, profesoreshë e bioteknologjisë në Universitetin e Uellsit të Ri Jugor (University of New South Wales), theksoi se këta bakteriofagë nuk paraqesin rrezik për njerëzit, por tha se kjo aftësi ngre shqetësime për sigurinë në të ardhmen.
“Çështja nuk është aq, a duhet të shqetësohemi për këtë virus, por më tepër tek fakti që AI tani është në gjendje ta bëjë këtë.” – tha ajo për Al Jazeera.
Megjithatë, ekspertët vunë në dukje se projektimi i patogjenëve të rrezikshëm për njerëzit mbetet shumë më i vështirë sesa krijimi i bakteriofagëve relativisht të thjeshtë.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur po shtohen shqetësimet për sistemet autonome të inteligjencës artificiale që veprojnë jashtë udhëzimeve të tyre të parashikuara. Modele të zhvilluara nga OpenAI, Anthropic dhe Meta kanë kryer së fundmi aktivitete kibernetike të paautorizuara gjatë testimeve të sigurisë.
Instituti Britanik për Sigurinë e Inteligjencës Artificiale raportoi gjithashtu këtë javë se agjentë të AI-së kishin synuar persona dhe organizata reale, kishin krijuar identitete të rreme dhe kishin tentuar të fusnin kod keqdashës gjatë proceseve të vlerësimit.
Asnjë prej këtyre incidenteve nuk lidhej me kërkimet biologjike, por ato kanë shtuar shqetësimet se sistemet gjithnjë e më të afta të inteligjencës artificiale mund të pajisen me qasje në mjete të fuqishme, përfshirë ato që përdoren për projektimin e viruseve.
Ky eksperiment zhvillohet gjithashtu në një kohë kur në Shtetet e Bashkuara është rihapur debati mbi kërkimet e rrezikshme mbi viruset dhe origjinën e Covid-19.
Mundësia që pandemia të ketë nisur si pasojë e një aksidenti laboratorik në Institutin e Virologjisë në Wuhan, i cili financohej nga SHBA, është rikthyer edhe një herë si një çështje e rëndësishme politike në SHBA, pas pyetjeve të ashpra që Kongresi i drejtoi së fundmi ish-këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin, Anthony Fauci.
Fauci u shpall në mospërfillje të Kongresit nga një komision i Senatit amerikan të enjten, pasi refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve lidhur me origjinën e Covid-19 dhe financimin amerikan për kërkimet mbi koronavirusin në Wuhan.