Një shtetas shqiptar është dënuar me 10 vjet burg në Mbretërinë e Bashkuar, pasi u shpall fajtor për një seri vjedhjesh në banesa, të kryera në disa qarqe angleze gjatë periudhës 2023-2025.
30-vjeçari Gledis Uka u dënua të martën nga Gjykata e Kurorës në Maidstone, pasi pranoi fajësinë për 19 nga 33 akuzat që rëndonin ndaj tij. Sipas autoriteteve britanike, ai udhëtonte drejt Anglisë vetëm gjatë muajve të dimrit, ku kryente vjedhje në banesa dhe më pas largohej nga vendi, raporton BBC.
Hetimet nisën në dhjetor të vitit 2023, pas dy vjedhjeve në zonën e Edenbridge, në Kent, ku autori kishte thyer dyer dhe dritare për të hyrë në banesa, duke marrë bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë. Në të dy skenat e krimit u gjetën gjurmë gjaku, të cilat më vonë u bënë prova kyçe për identifikimin e autorit.
Me kalimin e kohës, policia lidhi me të një sërë vjedhjesh të ngjashme në Kent, Surrey, Berkshire, Bristol, Buckinghamshire, Essex, Londër dhe Suffolk. Hetuesit vunë re se grabitjet kryheshin gjithmonë nga tetori deri në janar, ndërsa gjatë pjesës tjetër të vitit ndalonin plotësisht.
Pas një hetimi të gjatë dhe kompleks, Gledis Uka u arrestua në janar të vitit 2026 në Essex, falë provave forenzike që e lidhën me vendet e ngjarjeve.
Detektivja Celia King e Policisë së Kentit tha se shqiptari nuk tregoi asnjë pendesë për viktimat e tij.
“Ai hynte me forcë në banesa, shkaktonte dëme, linte rrëmujë pas dhe vidhte edhe sende me vlerë sentimentale. Jemi të kënaqur që më në fund është pas hekurave dhe që puna disavjeçare e hetuesve dha rezultat”, u shpreh ajo.