Shkrini Policinë Bashkiake të Tiranës

Shkrini Policinë Bashkiake të Tiranës

Nga Klodian Tomorri

Shkrirja e Policisë Bashkiake të Tiranës është një emergjencë e madhe kombëtare. Videot e dhunimit të të moshuarve që shesin ato pak mallra rrugicave të lagjeve në zhegun e vapës, janë provë e mjaftueshme dhe e pakontestueshme se Policia Bashkiake e Tiranës është de facto një organizate e strukturuar dhe e rrezikshme kriminale.

Kushdo deputet që ka fijen më të vogel të dhimbshurisë dhe ndërgjegjes njerëzore duhet të shkojë në seancen e parë të Parlamentit të ardhshëm me një projektligj me vetëm 2 nene.

Neni 1:

Policia Bashkiake e Tiranes shkrihet tërësisht.

Neni 2:

Ky ligj hyn në fuqi menjëherë.

Pamje si ato me dhunimin e të moshuarve, shqiptarët i kanë parë vetëm në filmat propagandistik të komunizmit, ku pushtuesit gjermanë ose italianë shkelnin bukën e fshatarëve të varfër.

Sigurisht ato ishin të trilluara për efekte propagandë se unë nuk besoj që ka patur ndonjëherë ndonjë ushtar gjerman apo italian aq të pashpirtë sa këta lacat e Bashkisë që shohim në video.

Duhet thënë edhe që, problemi real nuk ështe Policia Bashkiake. Fakti që nuk është një ngjarje e vetme, por janë thuajse të përditshme nga punonjës të ndryshëm të Policisë tregon se ky është orientim direkt i Bashkisë.

Por në pamundesi për të goditur menjeherë mafien, goditet krahu ekzekutiv i saj për t’ia bërë të pamundur të veprojë. Më vonë pastaj të merren si të duan. Por Policia Bashkiake e Tiranës nuk është më institucion publik, por një bandë dhunuesish.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit