Administrata e Bashkisë Klos ka bojkotuar punën këtë të premte në shenjë proteste kundër draftit të Partisë Socialiste për reformën e re territoriale. Shkak i reagimit është propozimi që parashikon shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat, një ndryshim që ka ngjallur kundërshtime mes punonjësve të administratës dhe qytetarëve.
Protesta u zhvillua përpara ambienteve të bashkisë dhe zgjati rreth 10 minuta. Pjesëmarrësit shprehën pakënaqësinë ndaj projektit të ri administrativ, duke kërkuar që Klosi të ruajë statusin e bashkisë. Ata argumentuan se një bashkim me Matin do të ndikonte në përfaqësimin institucional dhe në ofrimin e shërbimeve për banorët e zonës.
Sipas hartës së propozuar nga Partia Socialiste, qarku i Dibrës do të organizohet me tre bashki – Dibër, Bulqizë dhe Mat – si dhe me shtatë qytete dhe 35 njësi administrative. Drafti është shoqëruar me reagime edhe në bashki të tjera të vendit, ku qytetarët dhe përfaqësuesit vendorë kanë kundërshtuar ndryshimet e propozuara në ndarjen administrative.