Shkrumbohet nga flakët restoranti në Madrid/ Dy të vdekur, 10 të plagosur

Shkrumbohet nga flakët restoranti në Madrid/ Dy…

Dy burra vdiqën dhe 10 të tjerë u plagosën, disa prej tyre janë në gjendje të rëndë, në një zjarr që shpërtheu në një restorant në Madrid të premten mbrëma. Lajmi është bërë i ditur sot nga shërbimet e urgjencës të kryeqytetit spanjoll.

Nga të plagosurit, gjashtë janë “dërguar në spitale të ndryshme në Madrid në gjendje kritike”, ndërsa katër të tjerët kanë lëndime më të lehta.

Zjarri shpërtheu të premten në restorantin italian Burro Canaglia & Resto, në lagjen qendrore të Salamanca. Sipas një dëshmitari okular që foli për gazetën El Pais, zjarri filloi kur një kamarier përdori një çakmak në një pjatë. Zjarri u përhap shpejt në bimët që dekoronin restorantin dhe më pas në muret dhe tavanin.

Siç raportojnë mediat spanjolle, njëri nga të vdekurit është kamarier dhe tjetri klient. Klientët e restorantit u përpoqën të dilnin nga ndërtesa, pasi zjarri shpërtheu pranë hyrjes kryesore.

Nga ana e tyre, zjarrfikësit theksuan se në vendin e zjarrit kanë mbërritur shumë shpejt pasi selia e tyre është rreth 400 metra larg lokalit dhe shumë prej klientëve kanë vrapuar për t’i informuar.

Ndërkohë Policia është duke vijuar hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit