Shkurti: Unë e kam lënë luftën për liri, luftoj për dinjitet!

Shkurti: Unë e kam lënë luftën për…

Armir Shkurti

Miku im Gjergj, me maskë në mes të sheshit Skënderbej? U habita! S’e kishte mbajtur maskën as në kulmin e gjobave e represionit, kur qe me detyrim në rrugë. Miku im Gjergji, një ndër më të zjarrtët në mbrojtje të LIRISË?

– Na mbyllën nëpër shtëpi me urdhër – nisi të më përgjigjet – Dhe ne u mbyllëm. Me oraret që na vendosi kryeministri. Na nxorri tanke e ushtri. Natyrisht, jo për të na vrarë si minjtë që dikur përhapnin murtajën, por për të na treguar se edhe mund ta bëjë, me kaq dinjitet sa kemi. Pastaj NA DHA LEJE. Domethënë na dha LIRI. Të dalim nga shtëpia. Pastaj të dalim nga qyteti. Pastaj të shkojmë në plazh. Por në plazh me rregulla. Shezlongët larg. Muzika me orar. Dasmat me karar. Ne u gëzuam na E DHA ai LIRINË. E vodhëm rastin dhe i luajtëm fenë. Madje qefi më i madh ka qenë ai i përjetshmi: të shkelim rregullin e ligjin e të mos e marrë vesh pushteti. Pastaj kur kapemi, biem në gjunjë. “Aman shefi, se kam fëmijë”!

Pushteti na ka dhënë liri të punojmë. Edhe pas orës 11 të natës. Por me leje. Po ne jemi të shkathët e ia hedhim. Pushteti nuk lejon dasma të mëdha, po ne e rregullojmë. Pushteti nuk lejon pa vaksinë, por ne e blejmë, e falsifikojmë dhe jetojmë SI TË LIRË.

E jo or mik! Unë e kam lënë luftën për liri.

Luftoj për DINJITET!

Ka njerëz që kanë vdekur në burg, pa liri, por me DINJITET. Siç shoh pafund të vdekur të lirë që shtyjnë jetën pa dinjitet.

Mendoj se këtij populli, më shumë se liria i duhet dinjiteti. Nëse po të përdhunojnë në grup ama përdhunuesit të japin lirinë të zgjedhësh kush t’ia fillojë, atëhere mbaje këtë liri! Nëse të shijon kjo liri, shijoje! Mua jo!

Unë zgjedh DINJITETIN!

Në këtë masë që çapitet rrugëve me iluzionin se është e lirë, unë kam vendosur ta mbaj maskën sanitare. Së pari, të fsheh fytyrën, se më vjen turp. Së dyti, për t’ua kujtuar ç’skllevër janë. Sidomos atyre që kujtojnë se po luftojnë për liri. Po po! Ata që më shohin sot me përçmim se përse kur kam LIRINË të mos e mbaj në rrugë maskën, unë e mbath.

DINJITETI , vëlla, dinjiteti! Për të nuk ka luftuar askush asnjëherë në këtë vend. Dhe po nuk filloi me të , asgjë tjetër nuk ka as vlerë as kuptim.

Pa ngut, Gjergji rregulloi maskën deri afër syve, më ngjatjetoi me dorë dhe vazhdoi të çapitet në qejf të vet përmes turmës në shesh

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit