
Shoferët nga Veriu i Shqipërisë bëjnë më shumë aksidente në Europë. Ky është përfundimi i raportit të Eurostat, ku theksohet se në vitin 2021 u shënuan në zonën veriore 94 aksidente me pasojë vdekjen për 1 milionë banorë, nga 51 në qendër dhe 73 në jug të vendit.
Nga 400 rajone në total që raporton Eurostat, veriu i Shqipërisë renditet i 25-ti për fatalitetet më të mëdha në raport me popullsinë.
Kur shkon për në Shkodër, një tabelë e shkruar me të zezë “Rruga e vdekjes” është personifikimi më i mirë i asaj që ndodh në këtë segment rrugor. Superstrada Lezhe-Milot është një makth për kalimtarët dhe drejtuesit e automjeteve, duke pasur një numër të lartë të aksidenteve.
Mungesa e përgjegjësisë së shoferëve të mjeteve, por edhe mungesa e sinjalistikës ka dhënë pasojat e veta në konkluzionet e nxjerra nga ky raport. Mungesa e ndriçimit në akse të caktuara është një tjetër faktor që ndikon në aksidentet fatale.
Zona e veriut prej kohësh është lënë jashtë vëmendjes së qeverisë për investime, duke i dhënë më shumë peshë akseve që kanë interesa miqtë e tyre, ndërsa rrugët ku kalojnë qytetarët, me makinë apo në këmbë, janë në mëshirë të fatit.
Pavarësisht numrit të lartë të aksidenteve, tabelat që tregojnë kufirin maksimal të shpejtësisë apo mbikalimet për këmbësorët mungojnë. Për këtë problematikë, që evidentohet shumë shpesh, reagimi nga pushteti vendor dhe qëndron është zero.
Por në krahasim me mesataren e Bashkimit Europian prej 45 vdekje për 1 milion banorë, në të gjitha rajonet e Shqipërisë, aksidentet fatale janë shumë të larta. Mesatarja e Shqipërisë për 2021 ishte 70 fatalitete për 1 milion banorë.
Me këtë nivel, vendi renditet i pesti në Europë pas Rumanisë, Bullgarisë, Serbisë,Lletonisë dhe Kroacisë. Shtetet me më pak aksidente në Europë janë Suedia, Malta dhe Norvegjia.