Shoferi i linjës Kombinat-Kinostudio tymos llullën brenda autobusit

Shoferi i linjës Kombinat-Kinostudio tymos llullën brenda…

Një qytetar ka ngritur shqetësimin për kushtet në të cilat udhëtojnë çdo ditë pasagjerët e linjës urbane Kinostudio–Kombinat në Tiranë.

Sipas denoncimit të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, autobusët janë të tejmbushur, duke kaluar kapacitetet normale, ç’ka sipas tij krijon jo vetëm siklet për udhëtarët, por edhe rrit rrezikun e vjedhjeve dhe ngacmimeve. Situata rëndohet edhe më shumë nga mungesa e ajrit të kondicionuar, në mes të temperaturave të larta të verës.

Qytetari denoncon gjithashtu sjelljen e disa punonjësve të linjës, duke pretenduar se në stacionin e qendrës dëgjohen shpesh biseda me fjalor banal mes dispeçerit, fatorinos dhe shoferëve.

Sipas tij, edhe pas nisjes së autobusit, shoferi vazhdon bisedat me të njëjtin fjalor, ndërsa mban cigaren në dorë brenda mjetit, duke i detyruar pasagjerët të durojnë jo vetëm sjelljen e papërshtatshme, por edhe erën e duhanit.

“Ne këto ditë të nxehta vere, kur të gjithë nxitojnë për hallet e përditshme, përballemi me autobusë të mbushur përtej kapacitetit, pa kondicioner dhe me personel që nuk respekton as normat më minimale të sjelljes. Në vend që udhëtimi të jetë normal, detyrohemi të dëgjojmë fjalor banal dhe të thithim tymin e cigares së shoferit,” shprehet qytetari.

Pasagjerët kërkojnë që institucionet përgjegjëse dhe operatori i linjës të marrin masa për përmirësimin e kushteve të transportit urban, duke garantuar respektimin e rregullave, sigurinë dhe një shërbim dinjitoz për qytetarët.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit