Një qytetar ka denoncuar një aksident të ndodhur më datë 9 në Vlorë, ku automjeti i tij është goditur nga një tjetër makinë, drejtuesi i së cilës është larguar nga vendngjarja.
Sipas denoncuesit, automjeti që e ka goditur ka pasur targa false dhe këtë fakt ia ka komunikuar edhe policia, ndërsa pavarësisht denoncimit dhe pamjeve filmike që disponon, çështja e tij nuk ka marrë ende një zgjidhje.
“Makina më ka goditur dhe ka ikur. Kam pamjet se çfarë ka ndodhur”, shprehet qytetari, i cili ka edhe fotografi që tregojnë dëmtimet e automjetit të tij.
Denoncuesi thotë se automjeti që shkaktoi aksidentin është parë më pas në zonën e njohur si Kryqëzimi i Aleksandrisë në Vlorë, ku, sipas tij, pamjet tregojnë qartë automjetin, targën dhe drejtuesin e mjetit. Ai thotë se në këtë zonë ndodhen kamera të Policisë së Shtetit, të cilat mund të ndihmojnë në dokumentimin e ngjarjes por deri më tani ai është sorollatur dhe se nuk i është dhënë një zgjidhje për dëmin e shkaktuar.
“Policia më thotë se makina është sekuestruar, por personi nuk është ballafaquar për dëmin që ka kryer dhe është larguar nga vendngjarja”, deklaron denoncuesi.
Ai kërkon që institucionet përgjegjëse të verifikojnë pamjet filmike, të identifikojnë drejtuesin e automjetit dhe të sqarojnë rrethanat e aksidentit, si dhe arsyen përse, sipas tij, ende nuk ka një zgjidhje për dëmin e shkaktuar.