Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit: Fermerët po falimentojnë, qeveria po rrit importin serb

Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit: Fermerët po…

Kreu i Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Prodhuesit, Ervin Resuli, ka reaguar sot në lidhje me situatën e sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë në vendin tonë. Përmes një  postimi në rrjetet sociale, ai e quan të pamjaftueshëm dhe  diskriminues dhe përjashtues vendimin e Ministrisë së Bujqësisë për skemën kombëtare të subvencionit për blegtorët.

Resuli ka publikuar shifrat zyrtare nga INSTAT ku rezulton se në 5 vitet e fundit, blegtoria është në rënie ndërsa importi i qumështit serb është rritur. Sipas tij kjo situatë vjen për shkak se qeveria nuk krijon treg për produktet vendase.

 “Shkëlqimi dhe rënia e blegtorisë, pse po zëvendësohen me qumësht pluhur? INSTAT? Referuar shifrave zyrtare, 5 vitet e fundit numri i krerëve të blegtorisë ka rënë ndjeshëm. Konkretisht, në 2017 në vend numëroheshin 349 mijë lopë qumështore . Në fund të 2021 numri i tyre është pakësuar në 71 mijë krerë

Fieri, qarku me përqendrimin më të lartë të blegtorisë, po përballet me rënien më të madhe të numrit të krerëve. Në fund të 2021 në Fier numërohen 38 mijë e 600 lopë nga 47 mijë e 700 që kanë qenë në 2018.

Shqipëria jo vetëm që nuk eksporton qumësht në vendet e BE-së, por shënoi rritje të importit të këtij produkti kryesisht nga Serbia. Nga të dhëna nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave që tregojnë se në 2021, importi i qumështit nga Serbia u rrit me mbi 5 milionë litra krahasuar me 2020-n, ose me 310 %”, shkruan ai.

Më tej, Suli tregon se skemat që hapen për blegtorët shqiptarë nuk janë të drejta dhe favorizojnë vetëm një pjesë, ndërsa të tjerët përjashtohen nga tregu për shkak se janë drejtë falimentimit.  Ai shprehet se në ndarjen e buxhetit, qeveria përcakton një fond shumë të ulët për sektorin e bujqësisë, edhe pse pikërisht ky sektor përbën një pjesë të  konsiderueshme të ekonomisë shqiptare.

Blegtorët shqiptarë pa mbështetje nga skemat kombëtare e të zhgënjyer, të fundit në rajon për nga buxheti i dedikuar. Pavarësisht se deklarohet prioritet nga qeveria, ajo mbetet pas, sa i përket investimit në skemën direkte nga buxheti i shtetit në ndihmë të blegtorëve. Subvencioni është i pamjaftueshëm, nuk ndihmon në formalizmin e këtij sektori, nuk e rrit atë ,është përjashtues dhe diskriminues.

Fondet e vendosura jo vetëm që janë të pamjaftueshme, por janë në përpjesëtim të zhdrejtë me peshën që zë sektori në ekonomi, pasi bujqësia dhe blegtoria kontribuon në rreth 20 % në prodhimin bruto dhe merr nga buxheti vetëm 0.7 % të tij”, shprehet Suli.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit