Shpërblehet me kullë 47 kate Hanxhari i Vlorës që dhunon gratë

Shpërblehet me kullë 47 kate Hanxhari i…

Në Shqipërinë ku drejtësia fle dhe krimi bëhet pasuri, një dhunues grash jo vetëm që nuk ndëshkohet, por shpërblehet me një kullë 47-katëshe në mes të Tiranës. Bëhet fjalë për Adjon Hanxharin, ndërtuesin që pak ditë më parë dërgoi bodigardët të rrahin një grua dhe ta lënë të gjakosur në mes të plazhit në Radhimë, dhe ndërkohë merr si “shpërblim” firmën e shtetit për të ndërtuar një kullë gjigante pranë Ambasadës Amerikane.

Ngjarja e rëndë e dhunës ndodhi pak ditë më parë në bregdetin e Radhimës, ku pronarët e “Baro Beach”, me leje të rregullt për përdorimin e plazhit që prej vitit 2021, u përballën me një sulm të dhunshëm nga njerëzit e Hanxharit, për shkak të një konflikti mbi hapësirën bregdetare. Një grua, pronare e biznesit, u dhunua barbarisht, përfundoi e mbytur në gjak, ndërsa djali i saj me pasaportë italiane u godit disa herë nga truprojat që u dërguan për “t’u treguar vendin”.

Por në vend që ky person të arrestohet e të procedohet për dhunë me dashje dhe shkelje të kontratës shtetërore, ai “shpërblehet” nga shteti shqiptar me një superleje për ndërtimin e “Embassy Tower” – një përbindësh betoni me 47 kate që do të ngrihet përballë Ambasadës Amerikane.

Kompania ndërtuese, “Hanxhari Group”, është në pronësi të Adjon Hanxharit, djalit të famëkeqit Fatmir Hanxhari, ndërtues i “Vlora Internacional”, i denoncuar në media ndër vite si grabitës pronash dhe i lidhur kokë e këmbë me strukturat klienteliste të pushtetit lokal në Vlorë. Kulla që do të ndërtojnë është kaq e lartë sa do t’i bëjë Ambasador 3 dhe kullën e stadiumit të duken si baraka përballë saj.

Pas publikimit të lajmit nga JOQ për dhunën e ndodhur në Radhimë, familjarët e të dhunuarës të ndjerë nën presion nga Hanxharët e Vlorës kanë bërë kërkesë për të fshirë denoncimin. Por JOQ nuk fshin asgjë, nuk bën pazar dhe nuk ulet në gjunjë para të fortëve. As në Vlorë, as në Pogradec, as në Durrës, as në Shkodër. Dhe sigurisht as për Hanxharin.

Ky është realiteti i shtetit shqiptar: ata që dhunojnë gra, grabisin prona dhe kërcënojnë me bodigardë, jo vetëm që ecin të lirë, por ndërtojnë kulla 47 kate me bekimin e qeverisë. Drejtësia është zëvendësuar me beton, ndërsa shteti hesht dhe u hap rrugën klientëve të vet.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit