Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje në Bathore, duke shkaktuar dëme materiale në një banesë dhe në një automjet.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:05, në lagjen nr. 1, ku persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë vendosur një sasi lënde plasëse në murin rrethues të banesës së 55-vjeçarit Xhelal Kurti.
Si pasojë e shpërthimit, nuk raportohet për persona të lënduar. Megjithatë, nga fuqia e detonimit janë dëmtuar muri rrethues i banesës, si dhe makina në pronësi të djalit të 55-vjeçarit, e cila ndodhej e parkuar pranë hyrjes së shtëpisë.
Përmes një njoftimi zyrtar, Policia konfirmoi se nga incidenti janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të përcaktuar rrethanat dhe motivet e mundshme të ngjarjes, si dhe për të identifikuar dhe vënë në pranga personat përgjegjës.