Shpërthim me tritol në një servis motorësh në Vlorë

Shpërthim me tritol në një servis motorësh…

Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në qytetin e Vlorës, në lagjen “Bashkimi”, rreth orës 23:00.

Mësohet se tritoli është vendosur në godinën e një biznesi në pronësi të Vasillaq Bezhani, në rrugën Transballkanike, që operon si dyqan dhe servis motomjetesh.

Fatmirësisht, në momentin e shpërthimit dyqani ka qenë i mbyllur dhe nuk ka pasur persona të pranishëm. Lënda plasëse dyshohet se është vendosur midis dyqanit dhe një banese pranë tij. Nga ngjarja janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Zona ku ndodhi shpërthimi është e pajisur me kamera sigurie, dhe policia ka nisur sekuestrimin e pamjeve për të ndihmuar hetimin. Paralelisht, janë marrë në pyetje persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes.

Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet:

“Rreth orës 23:00, në lagjen ‘Bashkimi’, në dritaren e një servisi motorësh, në pronësi të shtetasit V.B., ka shpërthyer një sasi lënde e dyshuar plasëse, ku si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale.”

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për të identifikuar autorin ose autorët e dyshuar si dhe për të zbardhur plotësisht motivet e shpërthimit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit