Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara vijojnë të përshkallëzohen, ndërsa mbrëmjen e së enjtes janë raportuar disa shpërthime në zona të ndryshme të Iranit.
Sipas mediave shtetërore iraniane, të paktën shtatë shpërthime janë dëgjuar në pjesë të ndryshme të vendit, megjithëse deri më tani autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi shkaqet e tyre apo nëse ka viktima dhe të plagosur.
Agjencia iraniane e lajmeve Mehr raportoi se dy shpërthime u dëgjuan pranë qytetit Bushehr dhe zonës së Choghadakut në jug të Iranit. Po ashtu, tre shpërthime të tjera u raportuan në qytetin Konarak, ndërsa shpërthime janë regjistruar edhe në qytetin portual Bandar Abbas.
Zhvillimet vijnë në kulmin e një përshkallëzimi ushtarak mes Teheranit dhe Uashingtonit. Gjatë dy ditëve të fundit, të dyja palët kanë shkëmbyer sulme, pasi Irani goditi tre anije tregtare në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa SHBA kreu sulme të reja ajrore ndaj objektivave iraniane.
Në përgjigje, Teherani ndërmori të enjten sulme ndaj infrastrukturës ushtarake amerikane në Bahrein, Kuvajt, Katar dhe Jordani, duke i cilësuar ato si hakmarrje për sulmet amerikane të një nate më parë.
Situata në Lindjen e Mesme mbetet tepër e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet, nga frika se konflikti mund të zgjerohet edhe më tej në rajon.