Shpërthimet e fabrikave të çimentos në Borizanë, banorët: Pronari na kërcënon me mesazhe, uji nuk pihet

Shpërthimet e fabrikave të çimentos në Borizanë,…

Prej dy ditësh, banorët e fshatit Borizanë në Fushë Krujë protestojnë kundër fabrikave të çimentos. Ata tregojnë për medias se fabrikat kryejnë shpërthime të fuqishme dhe iu kanë dëmtuar shtëpitë. Madje një prej tyre tha sot se është dëmtuar edhe rrjeti i ujësjellësit, çka ka bërë që uji të ndotet dhe të bëhet i papijshëm.

Duke qenë se fjala e tyre nuk është dëgjuar, banorët kanë bllokuar këtë mëngjes rrugën automjeteve të fabrikës së çimentos Titan.

“Po ikën uji, po shteron, kemi familje, kemi fëmijë. Shtëpia është 100 metra larg nga vendi ku bëhen plasjet. Nuk na është marrë parasysh asnjë lloj shqetësimi dhe denoncimi që kemi bërë. Është një lagje shumë e madhe janë rreth 200-300 shtëpi. Vijnë dhjetëra kamionë në ditë, një rrugë kemi të gjithë. Ne kërkojmë që të ngrihet një ekspertizë, uji ka dalë i papijshëm, nuk është marrë për bazë asnjë denoncim i yni.

Kam shkuar dhe kam dhënë deklaratën në polici, ndërkohë që nuk kanë marrë pronarin e gurores në fjalë, nuk është marrë absolutisht asnjë lloj mase. Ne kërkojmë ndalimin e punimeve, është zonë e pabanueshme, ngelëm duke blerë ujë, një ka mundësi një nuk ka mundësi. Ky bën plasje është pakësuar sasia e ujit”, shprehen banorët.

Banorët madje pretendojnë se janë kërcënuar nga pronari i gurores që është më në afërsi të banesave të tyre.

“Firma ka rreth dy muaj që vazhdon punimet, kjo gurore ka ardhur në një distancë shumë të afërt, nuk e di as kush është pronari, na bëjnë presion me telefonata. Unë e kam bërë shtëpinë me kredi, i rezistoi tërmetit dhe nuk po i reziston këtyre plasjeve, sa herë që ka goditje vjen duke u hapur më shumë”, u shpreh një tjetër banor.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit