Shpërthimi me 2 viktima në Lushnje, arrestohet përgjegjësi i punimeve

Shpërthimi me 2 viktima në Lushnje, arrestohet…

Nga shpërthimi i magazinës në Lushnje mbetën të vrarë 2 punonjës dhe u plagosën 7 të tjerë në mesin e të cilëve është edhe deputeti socialist Bujar Çela, pronar i magazinës që shpërtheu. Ndërtimi i magazinës ishte ndërtim pa leje dhe firma nënkontraktore që ishte punësuar për të kryer punimet ishte e nënkryetarit të Bashkisë Lushnje, Elton Korreshi.

Ndërkohë është arrestuar nga policia përgjegjësi i punimeve në magazinën në ndërtim në Lushnje, i cili shpërtheu. 32-vjeçari me emrin Leonard Gjini akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasoja të rënda.

Njoftimi i Policisë:

Lushnjë Vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit, për dokumentimin e rrethanave të shpërthimit të ndodhur në një kapanon në ndërtim, më datë 01.03.2024. Në vijim të këtyre veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë ekzekutuan urdhrin e prokurorit, për ndalimin e shtetasit: L. Gj., 32 vjeç, banues në fshatin Goriçaj, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasoja të rënda.  

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, me mosveprimet e tij, duke qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit, sipas kontratës së sipërmarrjes, ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar regulloret përkatese të sigurimit teknik, të disiplines teknike të mbrojtes në punë dhe nuk ka marë masa për zbatimin, duke sjellë pasoja të rënda. Si pasojë e shpëthimit në kapanonin me lëndë djegëse, në lagjen “Karbunarë e madhe”, më datë 01.03.2024, ndodhi një shpërthim nga i cili humbën jetën 2 shtetas dhe u dëmtuan 7 të tjerë të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Nga kjo ngjarje humbi jetën vinçieri Roland Hoxha dhe pas tij, rrugës për në spital ka ndërruar jetë dhe i biri, Lidion Hoxha pasi kishte marrë në trup djegie të shkallës së tretë. Të dy ata ndodheshin në një vinç dhe aksidentalisht prekën telat e tensionit të lartë, lëvizje e cila i mori jetën.  I riu kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga emigracioni. Ndërkohë 7 pacientët e tjerë ende janë në spitalin e Lushnjes dhe mendohet se ndonjëri prej tyre mund të dërgohet drejt spitalit memorial të Fierit. Paraprakisht dyshohet se shkak për shpërthimin është bërë një vinç që ka prekur linjën e tensionit të lartë

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit