
Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur pak pas mesnatës së 1 majit në lagjen “Partizani” të qytetit të Elbasanit. Ngjarja është regjistruar rreth orës 00:05 në katin e parë të një banese në pronësi të shtetasit Arbër Pepa. Sipas informacioneve zyrtare, nga shpërthimi nuk ka të lënduar, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se hetimet paraprake kanë nxjerrë në pah një pistë të pazakontë. Dyshohet se ngjarja është organizuar nga vetë pronari i banesës, në bashkëpunim me nipin e tij, me qëllim që të përdoret si bazë për një kërkesë për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian.
Sipas hetimeve, Arbër Pepa është larguar nga Shqipëria drejt Greqisë pak para se të ndodhte shpërthimi, së bashku me bashkëshorten dhe fëmijën. Ndërkohë, nipi i tij dyshohet se ka vendosur sasinë e vogël të tritolit pas largimit të familjes nga banesa. Kjo ka përforcuar dyshimet se ngjarja ishte e inskenuar për të simuluar një kërcënim të pretenduar ndaj jetës së tyre.
Policia ka dalë me një deklaratë zyrtare ku konfirmon shpërthimin dhe nisjen e hetimeve. “Rreth orës 00:05, të datës 01.05.2025, në lagjen ‘Partizani’, në katin e parë të banesës së shtetasit A. P., dyshohet se ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse, gjatë kohës që në banesë nuk ka pasur njeri. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale,” thuhet në njoftim.
Ndërkohë, mësohet se familjarët që posedojnë banesën ku ndodhi shpërthimi, kanë një histori të hershme udhëtimesh drejt të njëjtit shtet të BE-së, çka ka ngritur dyshime për motivet e tyre të largimit. Sipas burimeve nga grupi hetimor, janë siguruar prova që mbështesin versionin e inskenimit dhe prokuroria është në fazën e finalizimit të çështjes.
Autoritetet janë në kërkim të bashkëpunëtorit që vendosi lëndën plasëse, ndërsa pritet që zhvillimet e mëtejshme të sqarojnë përfundimisht motivet dhe pasojat ligjore për të përfshirët në këtë ngjarje të pazakontë.