3 Ditë pas tragjedisë në Lushnje ku nga shpërthimi i fabrikës së deputetit Bujar Çela hubën jetën dy persona babë e bir dhe u plagosën 7 të tjerë, Policia ka referuar këtë të hënë dosjen në Prokurorinë e Fierit për hetime të mëtejshme.
Veprat penale që do të hetohen janë ndërtimi i paligjshëm pasi objekti ku ndodhi ngjarja kishte devijuar nga leja e dhënë, shkatërrimi i pronës nga pakujdesia pasi nga shpërthimi u dëmtuan shumë banesa e biznese, dhe vepra penale e shkejes së rregullave të mbrojtjes në punë, për shkak se u dëmtuan disa punonjës dhe u shkaktuan viktima! Deri në këto momente asnjë person nuk është marrë i pandehur për përgjegjësinë e tragjedisa me dy viktima.
Vinçi që drejtohej nga i ndjeri Roland Hoxha 51-vjeç mbante dy bombla oksigjeni që po i ngjiste në lartësi për të bërë saldim. Njëra prej bomblave është shkëputur duke shpërthyer pasi ka rënë në tokë, teksa nga shpërthimi mendohet të jenë këputur telat e tensionit të lartë 110 kë që kalonin sipër fabrikës, dhe për pasojë të ketë ndodhur shpërthimi. 51-vjeçari ndërroi jetë në vend, ndërsa djali i tij Elidon Hoxha 23-vjeç, fatkeqësisht humbi jetën rrugës për në spital.
Mes të lënduarve ishte dhe deputeti Çela, i cili ndodhet ende në spital bashkë me dy të lënduar të tjerë. Hetimet pritet të zbardhin me detaje se si ndodhi ngjarja, dhe përgjegjësit të dalin para ligjit.