Shpresë për të dëmtuarit nga tërmeti, shteti vëlla sjell 90 mln euro kredi të butë dhe 5 mln grante në Shqipëri

Shpresë për të dëmtuarit nga tërmeti, shteti…

Shqiptarët nuk thonë kot, “Zoti të mos të lëntë pa miq…”. E pra, kjo u vërtetua sot.

Një prej fqinjëve tanë “më të gjendur”, Italia, na ka dhënë dorën e parë për rimëkëmbjen pas tërmetit të nëntorit të vitit të kaluar.

Do të jenë plot 90 milionë euro kredi e butë dhe mbi 5 milionë euro të tjera në formë grantesh, ndihma financiare që do të vijë nga përtej Adriatikut.

Këto para do t’i jepen qeverisë shqiptare, për të nisur rindërtimin në zonat e dëmtuara nga termeti.

Marrëveshja u firmos sot prej ministrit të Rindërtimit, Arben Ahmetaj dhe ambasadorit italian, Fabricio Bucci.

Ky i fundit, gjatë fjalës së tij, tha se, kjo marrëveshje tregon mbi të gjitha “marrëdhëniet e veçanta që ekzistojnë mes nesh, jo vetëm si miq, por edhe si vëllezër”.

Ndërsa ministri i Rindërtimit, Ahmetaj, saktësoi sektorët më prioritarë se ku do të përdoret fillimisht kredia italiane.

Sipas tij, “kredia e butë prej 90 milionë euro do të angazhohet: Në sektorin e energjisë, për përmirësimin e mëtejshëm të linjave të transmetimit, në zhvillimin e ekonomisë së detit, për përmirësimin e infrastrukturës portuale dhe peshkimit, në rritjen e kapaciteteve për përballimin e fatkeqësive natyrore, me përmirësimin e flotës dhe fuqizimin e burimeve njerëzore të emergjencave civile etj.”.

/Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit