Shqipëria dhe paradoksi i suksesit: kampione në vendin e fundit

Shqipëria dhe paradoksi i suksesit: kampione në…

Shqipëria po renditet gjithnjë e më shpesh në fund të klasifikimeve europiane, nga cilësia e ujit, te të ardhurat për frymë dhe deri te çmimet e ushqimeve, duke u kthyer në simbol të një zhvillimi prapambetjeje.

Në kontinentin ku progresi matet me statistika, Shqipëria duket se ka gjetur “suksesin” e saj: jo për të qenë në krye, por për të mos lëvizur nga fundi i listave. Aty ku renditen vendet me paga më të ulëta, me çmime të larta dhe me cilësi të dobët jetese.

Një ndër treguesit më të freskët është çmimi i ushqimeve. Të dhënat e Eurostat për vitin 2024 tregojnë se për herë të parë, Shqipëria ka tejkaluar mesataren europiane. Domatja, që dikur ishte simbol i prodhimit vendas, sot i kushton qytetarit shqiptar sa një orë pune – nëse arrin ta ketë një të tillë.

Ndërsa për të ardhurat për frymë, Shqipëria vijon të mbajë vendin e fundit në Evropë. Kjo renditje, dikur tronditëse, tashmë duket se është bërë pjesë e realitetit të pranuar, i relativizuar me fraza si “mjafton të jemi shëndoshë”, edhe kur spitalet tona publike kanë mungesë shiringash.

Një tjetër kambanë alarmi vjen nga cilësia e ujërave bregdetare. Sipas Agjencisë Europiane për Mjedisin, vetëm 16% e ujërave të plazheve shqiptare klasifikohen si “shumë të mira”. Ndërkohë që ne marketojmë “detin kristal” dhe ftojmë turistë në “parajsën shqiptare”, realiteti është ndotje që rrezikon shëndetin dhe imazhin tonë.

Për më tepër, Shqipëria vazhdon të deklarojë investime strategjike në teknologji dhe inovacion, ndërkohë që kapitali i huaj shkon pothuajse ekskluzivisht në ndërtimin e apartamenteve dhe resorteve. Shumë prej tyre janë bosh, ndërtohen pa rrugë dhe nuk sjellin as dije, as vlera të reja për ekonominë.

Edhe kompanitë që përfitojnë nga statusi “strategjik” rezultojnë më së shumti firma ndërtimi ose importues mallrash që nuk krijojnë zinxhir zhvillimi, por vetëm shtojnë betonin dhe konsumojnë territorin pa kthim.

Në këtë situatë, aspirata për integrim në Bashkimin Europian duket gjithnjë e më shumë si një slogan i konsumuar. Shqipëria mbetet kampione e largimit të të rinjve, e rritjes së çmimeve dhe e moszhvillimit të shërbimeve bazë si mjedisi apo shëndetësia.

Nëse filozofia e matjes së suksesit do të mbetet e përqendruar vetëm tek PR-i dhe jo te rezultatet konkrete, atëherë vendi ynë do të vazhdojë të “shkëlqejë” si kampion në vendin e fundit.

Në këtë garë të pashpallur, jemi të padiskutueshëm. Shqipëria është dhe mbetet e para – por nga fundi.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit