Shqipëria digjet nga protestat: SPAK 'fal' Ballukun, mbyll hetimet pa kërkuar heqjen e iminitetit

Shqipëria digjet nga protestat: SPAK ‘fal’ Ballukun,…

Prokuroria e Posaçme (SPAK) i ka komunikuar zyrtarisht ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku akuzat përfundimtare, duke e rënduar dukshëm pozitën e saj penale krahasuar me hapat e parë të hetimit. Nga një dosje e fokusuar kryesisht te procedurat e tenderave, organet e akuzës kanë renditur tashmë një sërë veprash të rënda penale: 9 episode të shkeljes së barazisë në tendera, 2 raste të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë, 2 raste të fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurisë, si dhe pastrim të produkteve të veprës penale lidhur me dy pasuri të paluajtshme.

Kjo ecuri e hetimeve ka rindezur diskutimet mbi procedurat parlamentare. Më 16 dhjetor 2025, SPAK i kërkoi Kuvendit autorizimin për arrestimin e saj, por kërkesa u rrëzua nga shumica parlamentare më 12 mars. Një nga argumentet kryesore politike të përdorura atëherë nga mazhoranca ishte mungesa e një akuze zyrtare për korrupsion. Sot, kur dosja përmban dy akuza për korrupsion pasiv si dhe pastrim parash, në opinionin publik po ngrihen pyetje se përse prokuroria nuk po i drejtohet sërish Kuvendit për të kërkuar autorizim.

Çështja ka nxitur reagime të forta edhe sa i përket trajtimit të personave të përfshirë në dosje. Prokurori i çështjes, Dritan Prençi, nuk ka caktuar masa shtrënguese sigurie për Ballukun, si dhe për biznesmenët e zyrtarët e tjerë të përmendur në hetim, si Pandeli Carapuli, Bashkim Ulaj, Igli Tare, Erald Elezi apo Gentian Gjyli. Deri më tani, i vetmi që ndodhet në qeli për këtë çështje është ish-drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi.

Kjo shpërndarje e masave ka nxitur kritika mbi zbatimin e standardeve të dyfishta nga ana e SPAK-ut, veçanërisht në krahasim me rastet e tjera ku janë aplikuar masa me “arrest në burg”. Nga ana tjetër, nga pikëpamja procedurale, burime pranë hetimit lënë të kuptohet se procedura mund të vijojë përmes ndarjes së fraksioneve të tjera hetimore.

Në analizat e publikuara së fundmi, edhe mediat si VoxNews kanë nxitur debatin mbi pikëpyetjet rreth vendimmarrjeve të prokurorisë dhe trajtimit procedural të kësaj dosjeje

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit