“Mirëmëngjes dhe me një tjetër ditë Shqipërie në BE, ju uroj ditë të mbarë”, ka qene ky mesazhi me të cilin Rama ka nisur ditën duke treguar se nuk i plas për popullin dhe duke bere sehir nga Brukseli me Bashkimin Europian që nuk i duhet një populli që nuk ka kushtet bazike në vendin e tij.
Ndërsa kryeqyteti u zgjua mes xhamave të thyer, kangjellave të shkulura, trotuareve të dëmtuara dhe gjurmëve të zjarreve pas një nate të tensionuar, Edi Rama duket sikur jeton në një Shqipëri tjetër, larg asaj që përjetojnë çdo ditë qytetarët e tij. Tirana ende po pastron rrugët dhe po numëron dëmet, ndërsa kryeministri bën postime nga Brukseli, sikur gjithçka shkon vaj në këtë vend. Kjo është ajo që i revolton njerëzit, kur populli përballet me hallet, pushteti merret me fasadën; kur qytetarët kërkojnë përgjigje, kryeministri u shet pamje nga Europa. Rama sillet sikur mjafton një fotografi me flamurin e BE-së për të bindur shqiptarët se gjithçka është në rregull. Por njerëzit nuk jetojnë me postime, nuk paguajnë faturat me konferenca dhe nuk ndërtojnë të ardhmen me slogane politike.
Problemi i Ramës është se kërkon të reklamojë Shqipërinë europiane, ndërsa përballë ka një Shqipëri që kërkon llogari. Pas muajsh protestash, zemërimi nuk mund të fshihet nën tapetin e propagandës dhe as të mbulohet me një përshëndetje nga Brukseli. Kur studentët dalin në rrugë, kur qytetarët protestojnë dhe kur pakënaqësitë grumbullohen, kryeministri nuk mund të bëjë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nuk mjafton të dalësh para kamerave për të treguar sa mirë po ecën vendi, nëse nuk u përgjigjesh atyre që ankohen se jeta po u bëhet gjithnjë e më e vështirë.
Në fund të fundit, nuk mund t’u thuash shqiptarëve “ditë të mbarë” nga Brukseli, ndërsa ata në shtëpinë e tyre ndihen të braktisur, të papërfaqësuar dhe të lodhur nga premtimet. Kryeministri mund të bëjë sa fotografi të dojë me zyrtarët europianë, por në fund qytetarët e gjykojnë nga ajo që përjetojnë në Shqipëri, jo nga ajo që ai publikon në rrjetet sociale. Kush po kujdeset për Shqipërinë e qytetarëve, ndërsa kryeministri merret me Shqipërinë e propagandës?