Shqipëria do të paguajë normë interesi 4,05% për huanë e FMN-së

Shqipëria do të paguajë normë interesi 4,05%…

Shqipëria do të paguajë një normë interesi 4,05 për qind për huanë prej 174 milionë eurosh, dhënë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për të përballuar nevojat urgjente të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Kjo normë interesi është më e lartë se se ajo që shteti shqiptar paguan për hua të tjera – sipas BIRN obligacionet në euro të emetuara në tregun e brendshëm pak javë më parë patën një interes vjetor në masën 1.94 për qind, ndërsa norma e interesit e marrë në ankandin e fundit për bonde sovrane në euro në tetor 2018, ishte me interes 3.55 për qind.

Në relacionin shoqërues të marrëveshjes së huas në kuvend, sqarohet se përse norma e interesit është 4.05 për qind:

“Instrumenti që i akordohet Shqipërisë ka një normë huadhënie që do të përfshijë normën bazë të interesit në SDR (0.05%), një marzh të vendosur nga Bordi Drejtues (1%), tarifën shtesë të bazuar në nivel prej 2%, dhe një tarifë shtesë të bazuar në kohë prej 1%, duke e çuar normën totale të instrumentit në 4.05%.”

Kjo hua e ka afatin e shlyerjes tre vjet e gjysmë.

Më 11 prill, FMN-ja miratoi dhënien e një huaje prej 174 milionë eurosh për Shqipërinë, për të përballuar nevojat urgjente në ekonomi, të shkaktuara nga pandemia e Covid-19.

Huaja është miratuar nga Bordi Ekzekutiv i FMN-në si pjesë e Instrumentit të Shpejtë të Financimit (RFI). Kjo do të thotë se huaja do të disbursohet menjeherë. Në njoftimin e FMN-së për huanë, shkruhet se huaja duhet të përdoret kryesisht për të forcuar sistemin shëndetësor, për zbutur efektet e krizës për ato sektorë dhe familje që janë prekur më shumë dhe për të zvogëluar tkurrjen ekonomike që parashikohet për vitin 2020.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit