Shqipëria e mbushur me inerte, s'kanë kursyer as zonat turistike

Shqipëria e mbushur me inerte, s’kanë kursyer…

Ndërkohë që vendi bëhet gati për çeljen e sezonit turistik, mbetjet inerte kanë pushtuar Shqipërinë në çdo cep të territorit të saj. Përgjatë anëve të rrugëve nacionale mes tokave të gjelbëruara, anës bregut të detit në zonat e plazheve, sasi të mëdha mbetjesh të ngurta kanë shkatërruar në mënyrë serioze dhe të pakthyeshme mjedisin.

Faji bie mbi firma të ndryshme ndërtimi që pasi hapin themelet e pallateve i hedhin inertet vend e pa vend. Ka një legjislacionit në fuqi “Për Menaxhimin e Mbetjeve Inerte”,  i miratuar që në vitin 2015.

Në bazë të këtij legjislacioni, ai që shkakton mbetjet inerte është i detyruar t’i ruajë, t’i transportojë dhe t’i dorëzojë ato në landfill apo në venddepozitimin e përkohshëm në mënyrë të diferencuar.

Por për fat të keq kjo gjë në shumicën e rasteve nuk ka ndodhur dhe sot kemi këtë dëm të pariparueshëm në mjedis.

Akoma më problematike mbetet çështja e  trajtimit të mbetjeve inerte të shkaktuara nga prishja e godinave si pasojë e tërmetit të 26 Nëntorit. Veçanërisht në rastet e prishjes së godinave, mbetjet inerte nuk janë thjesht beton, gurë, apo dhera, por ato  përmbajnë edhe substanca të tjera si qelq, dru, porcelan, tekstile, profile hekuri e çeliku, apo profile alumini, gjë që e rëndon më shumë situatën dhe rreziku i ndotjes është edhe më i madh.

Nga një vëzhgim në zonat  kryesisht pranë Tiranës, vihet re se mbetjet inerte janë hedhur përgjatë rrugëve, siç është zona pranë Mulletit. Qindra ton inerte janë hedhur në mënyrë të jashtëligjshme në rrugën nacionale Tiranë-Shkodër. Ndërkohë që kryesisht në zonat periferike vendet e ndotura në kryeqytet janë të panumërta.

Fshati Tapizë, është i mbushur me kodra inertesh të cilat  janë hedhur  vetëm ditët e fundit. Në malin e Dajtit, përgjatë hapsirës turistike, janë hedhur në mënyrë të jashtëligjshme inerte, duke rrezikuar gjelbërimin dhe duke dëmtuar turizmin në këtë zonë. Edhe lumi Erzen  është mbushur plot me inerte, të cilat zënë shtratin e tij dhe për pasojë ndikojnë negativisht në ekosistemin natyror të burimeve ujore. Por edhe inertet që hidhen në periferi të tjera kanë një ndikim të konsiderueshëm në përmbytjen e zonave përrreth, pasi nëpërmjet rreshjeve inertet transportohen në burimet ujore, si dhe në kanalet kulluese dhe ujitëse, duke ndikuar kështu edhe në bujqësi.

Për këtë emergjencë mjedisore dhe shkatërrim të mjedisit  vë alarmin dhe vetë Agjencia Kombëtare e Mjedisit nëpërmjet raportit të saj, i cili publikohet çdo vit. Raporti i fundit i  “Gjendjes së Mjedisit” pranon se në Shqipëri, “Mbetjet inerte, mbetjet e rrezikshme, mbetjet spitalore dhe mbetjet e kafshëve nuk trajtohen sipas kërkesave ligjore, pasi  mungojnë landfillet e veçanta për depozitimin e këtyre mbetjeve siç janë mungesa e landfilleve për mbetjet e rrezikshme që mbeten emergjenca më e madhe në vend”.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit