Shqipëria e parafundit në rajon për perceptimin si shtet që ka luftuar korrupsionin

Shqipëria e parafundit në rajon për perceptimin…

Vendi ynë renditet i parafundit në rajon, përsa i përket përmirësimit të hetimit dhe dënimit të korrupsionit në nivele të larta sipas raportit të fundvitit 2023 nga Transparency International për Perceptimin e Korrupsionit.

Kështu Shqipëria është renditur e 98 mes 180 vendeve pjesëmarrëse në këtë raport, duke u vlerësuar me 37 pikë, vetëm një pikë më shumë se viti 2022. Serbia është në nivele më të ulëta se ne sa i përket luftimit të korrupsionit në nivele të larta, pasi renditet e 104 në liste duke marrë vlerësimin me 36 pikë. Por nga ana tjetër Shqipëria mbetet mbrapa kur e krahason me vendet e tjera të rajonit, të cilat kanë bërë më shumë përmirësime në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta.

Për shembull Mali i Zi renditet në vendin e 63 i vlerësuar me 46 pikë, Maqedonia e Veriut në vendin e 76 me 42 pikë, dhe Kosova në vendin e 83 me 41 pikë duke ruajtur pozicionin e një viti më parë. Raporti tregon se Shqipëria po përmirëson të dhënat e hetimit dhe ndjekjes penale të korrupsionit në nivele të larta, por nxjerr në pah se parlamenti duhet të jetë i shkëputur dhe i barabartë me organet e tjera të shoqërisë civile dhe mediat, për të cilat theksohet se duhet të kryejnë rolin e mbikëqyrësit pa pasur ndikim nga autoritetet.

Po sipas Raportit të Perceptimit për Korrupsionin dhe vëzhgimit të ekspertëve të fushës, e marrë në makro pra të gjitha shtetet e BE-së, hetimi i korrupsionit po përkeqësohet  dhe kjo është hera e parë pas më shumë se një dekade që treguesit thonë këtë gjë. Vlerësimet në raport u bënë me pikë nga 0 që do të thotë shumë i korruptuat, deri në 100 pikë shumë i pastër.

Vendi më pak i korruptuar në raport rezulton të jetë Danimarka, e ndjekur nga Finlanda dhe Zelanda e re. Pavarësisht se njihen si vende demokratike, shtete si Suedia, Holanda, Islanda dhe Mbretëria e Bashkuar, shënuan rënie në renditjen e bërë nga ky raport. Shtetet me vlerësimin dhe performancën më të ulët janë Rumania, Bullgaria dhe Hungaria ku korrupsion nuk u luftua si duhet.

Transparency International pohon se puna e drejtësisë kundër korrupsionit, ka rënë ose ka mbetur në vend në më shumë se tre të katërtat e vendeve të rajonit! Edhe pse janë bërë përpjekje, shtetet respektive nuk kanë mundur që të përmirësojnë luftën kundër këtij krimi i cili vijon të jetë shqetësues dhe shumë prezent.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit