Shqipëria feston 'Ditën e Rinisë' e shpopulluar

Shqipëria feston ‘Ditën e Rinisë’ e shpopulluar

Sot shënohet Dita Kombëtare e Rinisë. Në këtë datë të rëndësishme, në Shqipëri vërehet numri i ulët i të rinjve. Vajzat dhe djemtë shqiptarë çdo ditë e më shumë po shohin largimin nga vendi si mundësi më të mirë për jetën e tyre. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2022, grupmosha 0-24 vjeç përbënte vetëm 30% të popullsisë, nga gati 50% që ishte në 201. Në shifra janë rreth 570 mijë të rinj e fëmijë më pak se dy dekada më parë nga 1.42 milionë në 2001 në 827 mijë në 2022.

8 Dhjetori, Dita e Rinisë në Shqipëri, kujtohet si një moment historik, kur një grup studentësh e pedagogësh të Universitetit të Tiranës, në vitin 1990, u bënë protagonistë të kthesës së madhe historike, për ndryshimin e regjimit diktatorial. Nëse të rinjtë në vitin 1990 rrëzuan komunizmin me demonstrata antikomuniste studentore, të rinjtë sot, të pashpresë për një prespektivë në Shqipëri, po largohen në heshtje nga vendi i tyre.

Shqipërisë po i ikën truri dhe në këtë 8 dhjetor ndihet zbrazëtia e shesheve në qytete. Në rrugë, parqe, shtëpi, gjen më shumë të moshuar, pasi shumica e të rinjve janë larguar jashtë vendit për një jetë më të mirë. Vajzat dhe djemtë shqiptarë të zhgënjyer nga klasa politike, shpesh largohen në kërkim të mundësive të punësimit dhe zhvillimit profesional. Studimi në universitete ose institucione të tjera shpesh dërgon të rinjtë në vende të ndryshme. Kushtet e jetesës, përfshirë cilësinë e infrastrukturës, shërbimet shëndetësore, dhe klimën e përgjithshme kanë ndikuar në largimin e të rinjve.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit