Shqipëria do të bëhet vendi i 73-të nënshkrues i Marrëveshjeve Artemis, nismës ndërkombëtare të udhëhequr nga NASA dhe Departamenti Amerikan i Shtetit për bashkëpunimin në eksplorimin civil dhe paqësor të hapësirës. Ceremonia e nënshkrimit do të zhvillohet më 21 shtator në selinë e NASA-s në Uashington, në prani të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, dhe ambasadorit shqiptar në SHBA, Ervin Bushati.
Marrëveshjet Artemis u krijuan në vitin 2020 dhe përcaktojnë një sërë parimesh për sigurinë, transparencën dhe koordinimin ndërkombëtar gjatë misioneve hapësinore. Nisma synon të forcojë bashkëpunimin mes vendeve në eksplorimin dhe përdorimin paqësor të hapësirës, me fokus te misionet drejt Hënës, Marsit dhe më tej.
Me këtë nënshkrim, Shqipëria i bashkohet një grupi prej 73 shtetesh që janë angazhuar në këto parime të bashkëpunimit ndërkombëtar. Nëse gjithçka shkon sipas planit, Shqipëria do të ketë një karrige në tryezën e vendeve që flasin për eksplorimin e hapësirës.
Ironia është se ndërsa vendi po firmos marrëveshje për Hënën dhe Marsin, shumë prej problemeve të përditshme mbeten fort të lidhura me tokën, ekonomia, pagat, arsimi, infrastruktura dhe mundësitë për të rinjtë. Hapësira mund të jetë destinacioni i radhës, por sfida për Shqipërinë mbetet të krijojë kushtet që qytetarët e saj të mos kenë nevojë të kërkojnë një të ardhme në ndonjë planet tjetër.