Shqipëria "importon" mbi 22 mijë punëtorë të huaj, por pas shifrave fshihet shfrytëzimi

Shqipëria “importon” mbi 22 mijë punëtorë të…

Ndërsa mijëra qytetarë shqiptarë vijojnë largimet drejt vendeve perëndimore, tregu i punës në Shqipëri po mbështetet gjithnjë e më shumë te krahu i huaj i punës. Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), deri në qershor të vitit 2026 numri i shtetasve të huaj me leje unike ka arritur në mbi 22 mijë, nga rreth 18 mijë që ishin në fund të vitit 2025.

Të huajt, kryesisht nga Filipinet, India, Egjipti dhe Bangladeshi, po plotësojnë vendet e vakëta në sektorë kyç si industria prodhuese, hoteleri-turizmi, ndërtimi dhe shërbimet. Megjithatë, pas shifrave të rritjes fshihet një realitet shqetësues me abuzime, kushte të rënda dhe pasiguri në punë.

Nga premtimet evropiane te realiteti në terren

Procedura e pajisjes me leje pune nëpërmjet sistemit elektronik duket e shpejtë, por problemet nisin sapo punëtorët mbërrijnë në Shqipëri. Ekspertët e fushës, theksojnë se shumë prej tyre përfundojnë në skema mashtrimi, duke kryer detyra të ndryshme nga ato të kontraktuara, me orar të zgjatur dhe pa mbrojtje ligjore.

Problematikat kryesore të raportuara:

  • Kontrata të shkelura: Paga dhe kushte të ndryshme nga ato të premtuara në vendin e origjinës.
  • Pasiguri juridike: Mungesa e një mekanizmi të posaçëm ankimor nga institucionet për shtetasit e huaj.
  • Informalitet: Raste të punësimit pa dokumente të rregullta, të zbuluara edhe nga kontrollet e Inspektoratit të Punës.

Tragjeditë dhe mungesa e sigurisë në punë

Alarmet për kushtet e punëtorëve të huaj janë shoqëruar edhe me ngjarje tragjike. Në korrik të këtij viti, një aksident i rëndë pranë rrethrrotullimit të TEG-ut në Tiranë i kushtoi jetën dy shtetasve egjiptianë, 30 dhe 44 vjeç, të cilët kishin mbërritur në Shqipëri vetëm një muaj më parë. Automjeti i tonazhit të rëndë me të cilin udhëtonin ra nga ura në Unazën Lindore, ndërsa u raportua se viktimat nuk dispononin leje drejtimi apo dëshmi aftësie për mjetin në fjalë.

Ngjarje të ngjashme, të shoqëruara me denoncime pranë organizatave jo-qeveritare për pasaporta të mbajtura peng dhe kushte të vështira, dëshmojnë se vendi rrezikon të shndërrohet në një strehë shfrytëzimi. Ndërsa ekonomia ka nevojë urgjente për krah pune, mungesa e kontrolleve rigoroze dhe e ndëshkimeve ndaj subjekteve abuzuese lë të hapur pyetjen nëse zhvillimi i vendit po ndërtohet mbi shpinën e punëtorëve më të pambrojtur.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit