Shqipëria ndër vendet e Europës me më pak shtretër në spitale

Shqipëria ndër vendet e Europës me më…

Shqipëria vijon të ketë një nga kapacitetet më të ulëta spitalore në Europë. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në vitin 2024 institucionet publike të shërbimit spitalor dispononin 8,911 shtretër, ose 372 shtretër për çdo 100 mijë banorë.

Ky tregues mbetet dukshëm nën mesataren e Bashkimit Europian prej 507 shtretërsh për 100 mijë banorë, sipas të dhënave të Eurostat, dhe më i ulët edhe se në disa vende të rajonit. Serbia kryeson me 606 shtretër për 100 mijë banorë, ndërsa Mali i Zi ka 387 dhe Maqedonia e Veriut 452 (të dhëna për vitin 2021).

Edhe pse treguesi është përmirësuar krahasuar me vitin 2014, kur Shqipëria kishte 296 shtretër për 100 mijë banorë, kjo lidhet kryesisht me tkurrjen e popullsisë dhe jo me një zgjerim të ndjeshëm të kapaciteteve spitalore. Numri i shtretërve është rritur me vetëm 7.4% në një dekadë, ndërsa popullsia është zvogëluar me rreth 400 mijë banorë.

Në të njëjtën kohë, sistemi shëndetësor po përballet me një kërkesë në rritje për shërbime, si pasojë e plakjes së popullsisë dhe shtimit të sëmundjeve kronike. Emigrimi i mjekëve dhe përqendrimi i ndërhyrjeve të specializuara në spitalet e Tiranës kanë shtuar më tej presionin mbi sistemin publik.

Në Shqipëri pjesa më e madhe e rasteve të ndërlikuara trajtohen në spitalet publike, veçanërisht në Tiranë, çka e bën edhe më të rëndësishëm kapacitetin spitalor.

Krahasimi duhet të lexohet me kujdes, pasi të dhënat e INSTAT i referohen vetëm shtretërve në institucionet publike të shërbimit spitalor, ndërsa statistikat e Eurostat mund të përfshijnë kategori më të gjera institucionesh. Megjithatë, treguesi evidenton se sistemi publik shqiptar vijon të operojë me kapacitete më të kufizuara se mesatarja europiane.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit