Shqipëria ka marrë së fundmi një tjetër arritje negative në fushën e pastërtisë, kjo sipas një raporti të publikuar këtë të martë, i cili mban titullin “Bota e mbetjeve: rreziqet dhe mundësitë në menaxhimin e mbeturinave shtëpiake”.
Ky raport i cili është realizuar në rang global e rendit vendin tonë në mesin e 10 shteteve të botës, ku njerzit raportojnë se nuk i ndajnë mbeturinat e tyre shtëpiake përpara se t’i hedhin. Ky pozicion që ka marrë vendi ynë njihet ndryshe si ‘Lista e Zezë’.
Për të arritur në përfundimet e sondazhit janë zhvilluar 147 mijë intervista në 142 shtete në mbarë botën. Rezultatet tregojnë se edhe dy shtete të tjera në Ballkan, Kosova dhe Mali i Zi përfshihen në renditjen e listës së zezë.
7 shtetet e tjera të kësaj liste janë nga Afrika Nënsahariane. Sa i takon shteteve që raportojnë ndarjen më të lartë të mbeturinave janë në Evropë dhe Azinë Lindore.
Për shqipërinë dhe dy shtete e tjera pjesë e listës, raporti tregon se qytetarët përballen me sfida dhe vështirësi të theksuara kur vjen puna te menaxhimi i mbeturinave shtëpiake.
“Në Shqipëri, ka pak struktura në vend për të zbatuar ose nxitur ndarjen dhe riciklimin, dhe çfarëdo ndarje që bëhet, kryhet kryesisht në formë joformale,” thotë raporti.
Në nivel botëror vërrehet se më shumë se dy në pesë shtëpi globalisht i hedhin mbeturinat në mënyrë të pakontrolluar, siç mund të jenë djegia në qiell të hapur, ose hedhja në rrugë, duke paraqitur rrezik për shëndetin e njerëzve dhe mjedisin.