
Brenda muajit qershor pritet që shteti ynë të nënshkruajë një marrëveshje me Filipinet për të marrë 40 mijë punëtorë të kualifikuar.
Të gjithë sektorët e vendit po vuajnë nga mungesa e fuqisë punëtore, kryesisht sektori turizmit, teknologjisë dhe fasonerisë, për këtë arsye tregu do të furnizohet me punonjës filipinez.
Nga 40 mijë punonjës që do të vijnë, 15 mijë prej tyre do të punësohen në fasoneri. Me anë të kësaj marrëveshje pritet të plotësohen kërkesat e tregut për punonjës të kualifikuar.
Në harkun kohor të tre viteve 2019-2022 mbi 10 mijë të huaj kanë marrë leje qëndrimi për arsye pune në vendin tonë, por shpesh është ngritur shqetësimi se punonjësit që vinin nga vende si Bangladeshi, Siria apo Nepali ishin të pakualifikuar dhe përdornin vendin tonë si tranzit qër tu larguar më pas në vendet e Bashkimit Europian.
Shteti i Filipineve ka disa kritere përpara se të lejojë shtetasit e saj për të punuar në një vend tjetër. Atyre u kërkohet të marrin leje nga shteti i tyre dhe nga kompania pritëse ku do të ushtrojnë profesionin.
Në një deklaratë të bërë më herët Ambasadori i Filipineve në Itali Neal Imperial, është shprehur se në vëmëndje të këtij shteti është të mbrojë punëtorët filipinas kundër shfrytëzimit dhe abuzimit, por parandalon rekrutimin e paligjshëm.