Shqipëria përballet me kërcënimin e dy proceseve të veçanta të arbitrazhit ndërkombëtar për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Sipas revistës “Global Arbitration Review”, dy pretendime të ndara mund të ngrihen ndaj shtetit shqiptar për të njëjtin projekt. Njëra procedurë lidhet me kompaninë zvicerane MABCO Constructions, e lidhur me biznesmenin dhe ish-presidentin e Kosovës, Behgjet Pacolli, e cila ka paralajmëruar nisjen e një procedure investimi kundër Shqipërisë në kuadër të ICSID.
Në krahun tjetër, vetë kompania koncesionare e Aeroportit të Vlorës po shqyrton mundësinë e një procedure të veçantë në LCIA, mekanizmi i arbitrazhit ndërkombëtar me seli në Londër. Në qendër të konfliktit ndodhet vendimi i autoriteteve shqiptare për të nisur procedurat për zgjidhjen e kontratës së koncesionit, duke e çuar projektin drejt një përplasjeje të mundshme në dy fronte të ndryshme ligjore ndërkombëtare.
Behgjet Pacolli ka deklaruar se MABCO Constructions ishte financiarisht e ekspozuar me më shumë se 320 milionë euro, ndërsa kompania pretendon se pengesat institucionale dhe konflikti mes ortakëve e bënë të pamundur përfundimin normal të projektit. Sipas pretendimeve të saj, MABCO ishte penguar gjithashtu të hynte në kantier dhe të vijonte punimet. Nëse të dyja procedurat materializohen, Aeroporti i Vlorës mund të shndërrohet në një tjetër përballje të kushtueshme ligjore për shtetin shqiptar në arbitrazhet ndërkombëtare.