Shqipëria si Kabuli, 4 të vrarë dhe një i plagosur brenda 8 orëve në Durrës, Tiranë dhe Elbasan

Shqipëria si Kabuli, 4 të vrarë dhe…

Kur opinioni publik është i përqendruar te “halli” i koronavirusit, ndërsa politika te ndarja e “tortës” për Reformën Zgjedhore, vendi me shpejtësi ka precipituar në një spirale krimi.

Një soj si Çeçenia apo Afganistani, gjatë këtyre 8-9 orëve të fundit në Shqipëri janë shënuar plot 4 viktima dhe jo nga COVID-19, por nga thika dhe plumbi, si dhe një i plagosur.

Elbasani duket ‘epiqendra’ ku bandat përplasen dhe pas prishjes së marrëveshjeve, si dhe shkaktojnë viktima dhe krime tipike mafioze.

Gjithçka nisi mbrëmjen e djeshme ku u gjet i masakruar në afërsi të varrezave të qytetit 23-vjeçari Regis Runaj, i qëlluar disa herë me mjet prerës thikë.

Runaj dyshohet se është vrarë në një tjetër vend dhe trupi të jetë hedhur qëllimisht pranë varrezave, që është një zonë e pandriçuar dhe që e bën dhe më të vështirë zbardhjen e ngjarjes.

E vetmja pistë ku po hetohet deri më tani është ajo e lidhjes së tij me një tjetër viktimë të disa ditëve më parë në Elbasan, Emiljano Ramazani, me të cilin kishin miqësi të afërt. Ramazani dyshohet se u vra për prishjen e pazareve të drogës.

Pa u mbyllur ende mirë këqyrja e vendit të ngjarjes, ku u gjet i vdekur 23-vjeçari, një tjetër vrasje u shënua në Elbasan rreth orës 05:00 të mëngjesit.

Viktimë mbeti 40-vjeçari Florjan Lamçe, një emër i njohur për blutë e Elbasanit, pasi ishte hetuar për plagosje dhe vrasje.

Ndërkohë që një prej dyshimeve që ka rënduar ndaj tij, është dhe ajo e përdorimit si vrasës me pagesë nga grupet kriminale në Elbasan.

Lidhur me ngjarjen, që sipas policisë ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes personave të dehur, janë shoqëruar për në komisariat shtetasit Antonio Hajdari dhe Sokol Sanxhaktari, ky i fundit dhëndri i ish-kryebashkiakut socialist të Elbasanit Qazim Sejdini.

Policia deklaron se mes personave ka pasur një sherr me shishe, në ambientet e jashtme të lokalit në qendër të qytetit, dhe për pasojë Lamçe ka gjetur vdekjen, ndërkohë që janë lënduar dhe dy personat e tjerë të cilët janë shoqëruar.

Pritet një hetim më i gjerë për ngjarjen, pasi burime për “Gazetaatdheu.com” thonë se, konflikti mund të ketë nisur edhe për çështje që lidhen me veprimtari kriminale.

Ndërkohë Policia e Durrësit nga ana tjetër njoftoi për një tjetër ngjarje të rëndë ndodhur pak para mesnate, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagos një tjetër, të cilët ishin vëllezër mes tyre.

Fadil Çaliku ka humbur jetën, ndërsa Fiqiriu ka mundur të mbijetojë.

Dy vëllezërit nga fshati Xhafzotaj kishin ditë që kishin kuptuar se një person po u vidhte misrin në tokat e mbjella prej tyre.

Për këtë arsye ata kishin ditë që mbanin nën mbikëqyrje zonën për të kapur hajdutin, i cili u shfaq në orët e vona të mbrëmjes së djeshme.

Dy vëllezërit pasi e kanë parë personin, i cili shkoi për të vjedhur në arrën e tyre, kanë marrë çiften e gjahut që dispononin me leje dhe kanë shkuar drejt tij.

Për fat të keq reagimi i grabitësit ka qenë i menjëhershëm dhe e ka qëlluar Fadil Çalikun me thíkë drejt e në zemër duke i marrë në mënyrë të menjëhershme jetën dhe gjithashtu ka plagosur vëllanë e tij Fiqiriun.

Policia nuk ka mundur që të identifikojë dhe të kapë ende autorin e kësaj ngjarje të rëndë.

Po ashtu një tjetër ngjarje ka ndodhur në Tiranë, ku jë person është gjetur i pajetë në një banesë në zonën e Farkës.

Dyshimet e para janë se 37-vjeçari të ketë kryer vetëvrasje, por ngjarja është ende duke u verifikuar nga grupi i hetimit.

Në trupin e të ndjerit janë konstatuar disa plagë të shkaktuara nga àrma e zjarrit.

Nuk dihet ende identiteti i personit të pajetë, ndërsa polícia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po heton për zbardhjen e saj./Gazetaatdheu.com/

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit