Shqipëria tërheq turistët arabë/ Shtohet numri i pushuesve nga vendet e Lindjes së Mesme

Shqipëria tërheq turistët arabë/ Shtohet numri i…

Operatorët turistikë kanë raportuar se këtë sezon veror turistët nga Lindja e Mesme dhe Egjipti kanë mbipopulluar Tiranën duke prenotuar të gjitha hotelet. Heqja e vizave, vendosja e linjave të drejtpërdrejta ajrore si dhe kufizimet e pakta të Covid-it e kanë kthyer Shqipërinë destinacionin kryesor turistik në Europë për këto shtete.

Një udhëtar nga Arabia Saudite po shëtiste i lirë nëpër rrugët e kryeqytetit duke admiruar sheshet dhe arkitekturën.  Sipas tij, në Shqipëri nuk ekziston Covidi:

“Vij nga Arabia Saudite. Unë do rri 10 ditë këtu dhe shpresoj të rikthehem sërish pas një muaji. Shqipëria është mjaft e bukur, sidomos njerëzit janë shumë miqësorë. Më ka bërë shumë përshtypje fakti që këtu janë të gjithë pa maska, korona nuk ekziston”.

Ky udhëtar nga Egjipti komplimentoi ushqimin e mëngjeseve shqiptare dhe ngrohtësinë e mikpritjes:

“Jam nga Egjipti dhe ndodhem prej 7 ditësh në Shqipëri. Ushqimi i mëngjesit në vendin tuaj është fantastik, më lejo ta komplimentoj. Gjithashtu edhe njerëzit janë shumë miqësorë. Të jeni të sigurtë që do t’i them të gjithë shokëve të mi të vijnë në Shqipëri. Jeni i vetmi vend në Europë pa kufizime”.

Këta udhëtarë ishin individualë, por ka edhe nga ata që vijnë në grupe të organizuara siç hasëm përpara xhamisë së Beut Ethem. Njëri prej tyre u shkëput për të na treguar një histori interesante me mikpritjen shqiptare:

“Unë jam nga Stambolli. E di ca më ka ndodhur dje. Ne hotelin e kemi në periferi të Tiranës dhe donim që mbrëmë të vinim në qendër, por na thanë se nuk lejohet lëvizja pas orës 12 të darkës. Në lagjen e hotelit tonë dëgjojmë një aheng të madh nga komshinjtë dhe afrohemi mos ishte ndonjë klub. Në fakt aty po hidheshin vallet e fisit të dhëndrit sepse të nesërmen ishte dasma. Na ftuan dhe ne në valle, na qerasën dhe na e shtruan tavolinën plot. Ishte e mrekullueshme ajo mikpritje, nuk e kam përjetuar kurrë më përpara. Ka plot vende të bukura, por Shqipëria ka prekur zemrën time.”

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit