Shqipëria u dogj në flakë, prangosen shkaktarët e zjarreve

Shqipëria u dogj në flakë, prangosen shkaktarët…

Prej 16 ditësh, Shqipëria është në luftë me flakët. Zjarret në disa zona janë të qëllimshme, ndaj dhe Policia e Shtetit ka nisur aksionet e arrestimeve. Vendi jonë u përfshi nga flakët duke shkaktuar dëme të mëdha qoftë në natyrë ashtu edhe ekonomike. Nga zjarret në vend janë shënuar dy viktima në fshatin Asim Zeneli të Gjirokastrës dhe shumë dëme të tjera në sipërfaqet pyjore dhe bagëti. Ditët e fundit nga Policia janë kryer arrestime masive në vend për zjarrëvënie të qëllimshme.

Në Gjirokastër u proceduan penalisht ditën e sotme pasi dogjën me zjarr sipërfaqe të ndryshme me bimësi. Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve, shërbimet e Postës së Policisë Dropull proceduan penalisht shtetasin V. O., banues në fshatin Radat, Dropull, pasi gjatë kryerjes së disa punimeve me troho në bahçen e tij, ka shkaktuar zjarr dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimësi në rrethinat e fshatit Radat.

Gjithashtu, shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj proceduan penalisht shtetasin M. B., 51 vjeç, banues në fshatin Memaliaj, pasi duke djegur disa barëra në pronën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe për pasojë është djegur një sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme.

Arrestime të tjera janë kryer në Korcë dhe Berat dhe Lezhë.

Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve, shërbimet e Komisariatit Policisë Berat proceduan penalisht shtetasin B. Sh., banues në Berat, pasi në lagjen “Donika Kastrioti”, ka shkaktuar zjarr nga pakujdesia dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me barë.

Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasi A. K., 28 vjeç, banues në Berat, pasi në vendin e quajtur mali Partizan, ka shkaktuar zjarr nga pakujdesia duke hedhur një cigare të ndezur në tokë dhe si pasojë është djegur një sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme.

Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë arrestuan në flagrancë shtetasin P. L., 66 vjeç, banues në fshatin Gjakëz, Mirditë.Ky shtetas ka ndezur zjarr në oborrin e banesës së tij dhe zjarri ka dalë jashtë kontrollit duke djegur një sipërfaqe të madhe me pyje dhe disa banesa të braktisura në fshatin Gjakëz, Fanë, Mirditë.

Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin P. L., 52 vjeç, banues në Zejmen, Lezhë.

Ky shtetas ka ndezur zjarr për djegien e mbeturinave, por zjarri i ka dalë jashtë kontrollit duke djegur një sipërfaqe të madhe barishte dhe kullota. Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me zjarrfikësen, kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, duke parandaluar përhapjen e zjarrit i cili rrezikonte disa banesa dhe lokale, si dhe automjetet, pasi ishte anës rrugës kryesore në aksin Lezhë-Milot.

Gjithashtu, specialistët e Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë proceduan penalisht shtetasen Gj. V., 70 vjeçe, banuese në Balldren, Lezhë.
Kjo shtetase, pasi ka ndezur zjarr në kanalin kullues, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit duke djegur një sipërfaqe me bimësi në fshatin Balldre, Lezhë. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Strukturat e DVP Lezhë dhe Komisariatet e Policisë në varësi të saj, krahas përmbushjes së detyrave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë për krijimin e një ambienti sa më të sigurt, janë të angazhuara maksimalisht për të parandaluar, evidentuar dhe goditur rastet e zjarrvënies në pyje e kullota, por dhe për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të cilët ndjehen të rrezikuar nga zjarret që shkaktohen me qëllim apo nga pakujdesia.

Dy persona janë arrestuar edhe nga Policia e Korçës pasi dogjën me zjarr një sipërfaqe pyjore në fshatin Gjonomadh.

Përkatësisht është ndaluar 18-vjeçari Arbër Xhaxhamani dhe 22-vjeçari Taulant Bardhollari, pasi dyshohet se tek zona e quajtur “Korija e fshatit” në Gjonomadh, këta shtetas, kanë djegur me zjarr një sipërfaqe pyjore me bimësi të ndryshme. Ndërkohë materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Materialet i kaluan gjykatës për veprime të mëtejshme proceduriale.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit