Shqipëria, vendi ku policia është në vendngjarje për të mbledhur kufomat

Shqipëria, vendi ku policia është në vendngjarje…

Në një ditë të zakonshme në Shqipëri, lajmet janë gjithnjë të zakonshme një vrasje, një plagosje, një tjetër breshëri plumbash mbi qytetarë që nuk prisnin gjë tjetër përveçse të jetonin. Viktimat janë shpesh të pafajshme  kalimtarë, fëmijë, njerëz që u ndodhën në vendin e gabuar, në kohën e gabuar. Por në këtë vend, edhe koha e vendi nuk janë më nën kontrollin tonë.

Policia shfaqet, por rrallëherë për të parandaluar. Shkon në vendngjarje për të mbledhur kufomat, për të bërë deklaratën standarde “po hetojmë”, e pastaj për të heshtur sërish. Krimi shëtit lirshëm, kurse drejtësia duket si një hije që shfaqet vetëm për t’u zhdukur menjëherë pas.

Rrugët tona nuk janë më veçse harta të përgjakura. Dhe po në këto rrugë që njohin më shumë emrat e viktimave se të drejtësisë, kalojnë çdo ditë karvanët e politikës. Makina luksoze, flamuj partie, buzëqeshje plastike  pas tyre, në një ironi therëse, shpesh vjen një makinë mortore. Si për të na kujtuar se premtimet janë vetëm fasada, e realiteti i këtij vendi është më afër varrit sesa shpresës sepse shteti nuk mund të mbrojë as të drejtën bazë, atë për të jetuar.

Kujtojmë Vlorën, vetëm pak ditë më parë. Një vrasje mafioze tronditi qytetin, por jo aq sa të ndërpriste itinerarin e Kryeministrit. Ai mbërriti në qytet me axhendën e tij, si të mos kishte ndodhur asgjë. Dhe çuditërisht, qyteti heshti, vdekja u bë thjesht një statistikë që u zëvendësua nga një foto politike.

Nëse policia do të funksiononte, shumë prej këtyre ngjarjeve mund të ishin parandaluar. Në një vend ku një i ri mund të kenë një pistoletë a një kallash e të lëvizin me to nëpër duar  pa u shqetësuar, forcat e rendit nuk kanë luksin të jenë pasive. Por ndoshta është më e lehtë të numërosh viktimat sesa të kërkosh fajtorët.

Në një Shqipëri kaq të vogël, plumbi nuk pyet kush je. Nuk pyet nëse je burrë, grua apo fëmijë. Ai bie pa dallim, pa mëshirë, pa paralajmërim. Sot mund të jem unë, nesër mund të jesh ti!

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit