Shqipëria zyrtarisht aksionere në zhvillimin e resortit luksoz në ishullin e Sazanit

Shqipëria zyrtarisht aksionere në zhvillimin e resortit…

Shteti shqiptar do të ketë aksione në projektin turistik të Jared Kushnerit në ishullin e Sazanit, përmes një kompanie të sapokrijuar që do të mbikëqyrë investimin strategjik prej 1.4 miliardë eurosh

Shqipëria do të marrë pjesë si aksionere në projektin e resortit luksoz që parashikohet të ndërtohet në ishullin e Sazanit nga Jared Kushner. Kompania që do të përfaqësojë shtetin në këtë zhvillim është regjistruar më 26 qershor në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe mban emrin “Albanian State Development & Real Estate”.

Sipas ekstraktit të regjistrimit, kjo shoqëri do të menaxhojë dhe zhvillojë pasuritë e paluajtshme në pronësi të saj, me synim rritjen e vlerës dhe përdorimin strategjik të tyre. Ajo do të përfshihet në projekte strategjike si përfaqësuese e shtetit, përfshirë projektin “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit” dhe çdo nismë tjetër që mund të miratohet nga organet drejtuese.

Shoqëria ka për detyrë të planifikojë dhe zbatojë projekte ndërtimore me rëndësi, të fokusuara në zhvillimin urban. Një nga funksionet kryesore do të jetë monitorimi i kontratave që lidhen me ndërtimin në Sazan, duke siguruar zbatimin e standardeve dhe transparencës.

Në dokumentacionin zyrtar, thuhet se kompania do të mbikëqyrë marrëveshjet mes AIC dhe palëve të treta, në fushën e menaxhimit të pasurive të paluajtshme që lidhen me resortin. Gjithashtu, ajo do të ketë të drejtën të përfitojë të ardhura nga menaxhimi dhe zhvillimi i pronave në pronësi apo administrim të saj.

Kompania do të bashkëpunojë me agjenci dhe sipërmarrje të tjera që operojnë në fushë të ngjashme, duke mundësuar shkëmbim përvoje.

I vetmi aksionar i shoqërisë është Korporata e Investimeve Shqiptare (Albanian Investment Corporation – AIC), e cila zotëron 100% të kapitalit me një shumë prej 50 milionë lekësh. Administrator i kompanisë është caktuar Julian Adili, i cili aktualisht ushtron funksionin e Drejtorit të Divizionit Ligjor dhe të Pajtueshmërisë pranë AIC.

Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, fitoi statusin e Investitorit Strategjik në dhjetor të vitit 2024, duke hapur rrugën për zhvillimin e këtij projekti madhor turistik në Shqipëri.

Investimi parashikohet të shtrihet në 8% të territorit të ishullit të Sazanit, që përkthehet në 45 hektarë sipërfaqe. Por a ishte e udhës që edhe shteti të bëhej pjesë e këtij investimi?

Le të marrin një shembull shumë të afërt, ishullin e Korfuzit, në të cilat gjenden vilat e familjes Rothschild. Shteti grek nuk është përfshirë në këto investime, duke lënë hapsirë për investitorët.

Po pse ne duam të marrin rolin e një shteti tipik socialist, në një kohë kur investimi vjen në një udhëkryq gjeopolitik dhe ekonomik për vendin. Le të shohim realitetin siç është, Shqipëria është një vend i varfër dhe nuk e ka luksin e përfshirjes në investime të tilla. Për më tepër shijen që lë tek investitorët amerikanë, tregon se sa të papjekur jemi për të menaxhuar situata të tilla.

Nëse duam një politikë “Laissez Faire”, me të pasurit, atëherë ashtu qoftë, por kurrsesi të përziejmë fondet e taksapaguesve në rehatllëk pasanikësh, në një kohë kur jemi ndër vendet më të ardhurat më të ulëta për frymë në Europë.

Resorti do të përfshijë një marinë turistike, struktura akomoduese elitare, rezidenca me standard të lartë, ambiente gastronomike dhe shumë lukse të tjera.

Ky projekt konsiderohet si një nga investimet më të mëdha turistike të huaja në Shqipëri dhe ne si shtet edhe pse të varfër, nuk qëndrojmë jashtë, mbase për kapital gjeopolitik, në një lëvizje që me shumë gjasa nuk do i pëlqejë as shqiptarëve, as investitorëve amerikanë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit