Një operacion i përbashkët i Policisë Kombëtare të Ekuadorit, Prokurorisë dhe Europolit, i koduar “Great Phoenix 43 Azkaban”, ka goditur një rrjet kriminal polako-shqiptar të dyshuar për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës. Sipas autoriteteve, organizata ka qenë aktive që prej vitit 2019 dhe lidhet me sekuestrimin e të paktën 7.5 ton kokainë, e fshehur në ngarkesa të ligjshme si banane, kafe, produkte deti dhe mallra të tjera eksporti.
Në qendër të hetimeve është një shtetas shqiptar me inicialet Daci P., i konsideruar nga autoritetet ekuadoriane si përfaqësues i mafias ballkanike në vend dhe një nga drejtuesit e rrjetit. Ai dyshohet se koordinonte logjistikën e trafikut të drogës në Ekuador, ndërsa aktivitetin e mbulonte përmes një biznesi në sektorin e gastronomisë. Hetimet kanë ngritur dyshime edhe për evazion fiskal dhe pastrim parash, për shkak të mospërputhjeve mes të ardhurave të deklaruara dhe detyrimeve tatimore.
Si figurë tjetër kyçe identifikohet shtetasi polak Jakimiec T., i arrestuar në Santa Elena dhe i kërkuar nga Polonia me njoftim të kuq të Interpolit. Sipas policisë, ai përdorte një kompani tregtie bananesh si mbulesë për dërgesat e kokainës drejt Europës. Operacioni ka rikthyer në vëmendje edhe një dosje të vitit 2020 për sekuestrimin e 2 ton kokainë në portin e Guayaquil, ku të njëjtët persona dyshohet se kanë vijuar aktivitetin kriminal duke mbështetur rrjetin ndërkombëtar të trafikimit.