Shqiptarët kundër vizitave me pagesë në spitalet publike

Shqiptarët kundër vizitave me pagesë në spitalet…

Shqiptarët nuk janë dakord me nismën e propozuar nga qeveria, që mjekët të zhvillojnë vizita private në ambientet e spitaleve pas përfundimit të orarit zyrtar të punës.

Këtë ka arritur të vërtetojë një sondazh i zhvilluar nga revista Monitor në rrjetet sociale. Gjetjet e sondazhit kanë treguar se 72% e votuesve nuk janë dakord me këtë nisë të propozuar nga kryeministri Edi Rama në fillim të shkurtit 2024.

43% e votuesve kanë thënë se kjo nisëm do të detyrojë shqiptarët që të paguajnë më shumë para nga xhepi për të marrë shërbim në spitale. Nga ana tjetër 29% thonë se kjo nismë do të ulë cilësinë e shërbimit shëndetësor që pretendohet se është falas, duke qenë se mjekët do të jenë më të interesuar që vizitat me pacintet t’i kryejnë jashtë orarit zyrtar.

Më pak se 28% e votuesve kanë shprehur mbështetjen e kësaj nisme, prej të cilëve 17% thanë se kjo gjë do të motivojë mjekët, ndërsa 11% thanë se do të ulë korrupsionin e bluzave të bardha në spitale.

Sipas propozimit nga qeveria, kjo nismë do të fillojë implementimin në spitalet që kanë fituar kartën e autonomisë menaxheriale, që në vendin tonë janë Spitali Univeristar Nënën Tereza, spitali i Shkodrës, Lezhës, Durrësit dhe Vlorës. Për të punuar jashtë orarit mjekët duhet të nënshkruajnë një kontratë, ku shprehin pëlqimin për kryerjen e vizitave dhe të ardhurat të ndahen mes mjekut dhe institucionit, ndërsa tarifat do të përcaktohen nga Bordi Drejtues i spitalit.

Shqiptarët mbajnë rekord nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, për shpenzimet më të larta nga xhepi në Rrajonin e Ballkanit Perëndimor dhe gjithë Evropën. OBSH përllogariti se ndërmjet 2015 – 2021 shpenzimet e shqiptarëve për shëndetësinë u rritën me 82%.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit