
Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2023, personat e aftë për punë të moshës 20-64 vjeç në Bashkimin Evropian kanë punuar mesatarisht 36.1 orë në javë. Megjithatë, orari mesatar i punës ndryshon ndjeshëm midis vendeve anëtare.
Vendet me orarin më të gjatë të punës për javë ishin:
- Greqia – 39.8 orë
- Rumania – 39.5 orë
- Polonia – 39.3 orë
- Bullgaria – 39.0 orë
Në anën tjetër, vendet me orarin më të shkurtër ishin:
- Holanda – 32.2 orë
- Austria – 33.6 orë
- Gjermania – 34.0 orë
Në krahasim me këto vende, shqiptarët punojnë dukshëm më shumë. Gjatë vitit 2023, të punësuarit në Shqipëri kanë punuar mesatarisht 43.7 orë në javë, që është 7.6 orë më shumë se mesatarja evropiane.
Orari mesatar i punës ndryshon edhe sipas sektorëve ekonomikë. Në Shqipëri:
- Në sektorin e prodhimit janë punuar mesatarisht 46.5 orë në javë
- Në ndërtim – 45.6 orë
- Në bujqësi – 44.8 orë
- Ndërkohë që në administratën publike orari është më i ulët, me 40 orë në javë
Ky trend i orarit të zgjatur vërehet edhe në vendet e tjera të Ballkanit, si për shembull në Mal të Zi, ku punëtorët kanë punuar mesatarisht 42.8 orë në javë.
Pavarësisht numrit më të madh të orëve të punës, Shqipëria mbetet vendi me pagat më të ulëta në rajon, si për pagën minimale ashtu edhe për atë mesatare (të dhënat për Kosovën mungojnë).