Jo vetëm ushqimet dhe karburantet, por edhe shërbimet e komunikimit i kushtojnë më shumë shqiptarëve krahasuar me qytetarët e Bashkimit Europian.
Sipas të dhënave të Eurostat, indeksi i çmimeve për informacionin dhe komunikimin në Shqipëri gjatë vitit 2025 ishte 107.6% e mesatares së BE-së. Kjo do të thotë se shqiptarët paguajnë rreth 7.6% më shumë për shërbime si telefonia celulare, linja fikse dhe interneti, krahasuar me një qytetar europian, duke marrë parasysh fuqinë blerëse.
Çmimet e komunikimit në Shqipëri janë rritur vazhdimisht vitet e fundit. Në vitin 2022, shërbimet e komunikimit ishin 9% më të lira se mesatarja e BE-së, ndërsa në vitin 2023 kaluan për herë të parë mbi këtë nivel me 100.5%. Rritja vijoi në 2024 me 103.1%, për të arritur nivelin rekord në 2025.
Në rajon, Shqipëria ka kostot më të larta të komunikimit. Maqedonia e Veriut është më e lira me 84.9% të mesatares së BE-së, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 99.9%, Serbia me 102.7% dhe Mali i Zi me 106.1%.
Ndër vendet europiane, shërbimet më të shtrenjta të komunikimit gjenden në Zvicër, me 167% të mesatares së BE-së, Norvegji me 164.1% dhe Islandë me 151.6%. Ndërsa më të lirat janë Turqia, Polonia dhe Rumania.
Interneti, kostoja më e lartë për shqiptarët
Sipas raportit vjetor të AKEP për vitin 2025, interneti është ndër shërbimet më të kushtueshme për shqiptarët në raport me të ardhurat.
Bazuar në të dhënat e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve (ITU), një paketë mujore interneti me brez të gjerë në Shqipëri kushton rreth 1.69% të të ardhurave mujore bruto për frymë.
Ky është niveli më i lartë në Ballkanin Perëndimor. Pas Shqipërisë renditen Maqedonia e Veriut me 1.31%, Bosnjë-Hercegovina me 1.17%, Mali i Zi me 1.01% dhe Serbia me 0.96%.
Shqipëria është gjithashtu mbi mesataren botërore, ku kostoja e internetit arrin në 1.38% të të ardhurave.
Edhe për paketat e komunikimit me përdorim të lartë, që përfshijnë 140 minuta telefonata, 20 SMS dhe 5 GB internet, Shqipëria mbetet ndër vendet më të shtrenjta të rajonit, me një kosto sa 1.95% e të ardhurave mujore bruto.
Të dhënat tregojnë se shërbimet e komunikimit në Shqipëri janë shtrenjtuar ndjeshëm vitet e fundit, duke e renditur vendin ndër më të kushtuarit në Europë për telefoninë dhe internetin.