
Një grup shqiptarët ka protestuar jashtë ambienteve të qendrës Brook House, ku mbahen emigrantët. Ndarja nga jeta e Alfred Doskut brenda kampit të emigrantëve ka ngritur shumë dyshime mbi mënyrën e trajtimit të shqiptarëve në këto ambjente. Protestuesit thanë se brenda kësaj qendre ka ndodhur një krim dhe përgjegjësit duhet të hetohen.
Protestuesit shqiptarë kërkuan dhënien fund të trajtimit aspak dinjitoz të emigrantëve shqiptarëve të cilët mblidhen, në këtë qendër me qëllim dëbimin drejt Shqipërisë. Taulant Omi, një prej organizatorëve të protestës tha se “ishin njoftuar të gjitha shoqatat e shqiptarëve në Angli, për t’ju bashkuar protestës por askush prej tyre nuk erdhi”.
Në oborrin e qendrës Brook House protestuesit përmes qirinjve krijuan emrin e Alfredit, të riut me origjinë nga Librazhdi. Ai kishte mbërritur me gomone në Angli vitin e shkuar dhe kishte 10 ditë në qendrën Brook House. Autoritetet thanë se 38-vjeçari kaloi në një depresion të fortë pasi iu komunikua dëbimi për në Shqipëri. Në këto kushte ai dyshohet se kreu vetëvrasje duke përdorur çarçafët e dhomës.