Shqiptarët të tradhtuar nga politikanët e saj/SHBA dhe Turqia në luftë që mos t’i japim territoret Greqisë

Shqiptarët të tradhtuar nga politikanët e saj/SHBA…

SHBA dhe Turqia ka 10 vite që përpiqen të ndalojnë kokat e politikës së Tiranës të mos i hapin rrugë Greqisë për rrëmbimin e detit dhe helenizimin e jugut me varre ushtarësh fantazmë, ja çfarë thanë për pazaret e Berishës dhe Bashës, tani po mbajnë nën vëzhgim Ramën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqia prej 10 vitesh janë përfshirë në një betejë për jetë a vdekje me kokat e politikës shqiptare, njëkohësisht edhe kokat e krimit dhe korrupsionit në Shqipëri, për t’i ndaluar që të mos i falin territoret ujore dhe tokësore Greqisë, e cila gjithmonë ka pasur synime armiqësore dhe pretendime territoriale ndaj Shqipërisë.

 

Pas pushtimit dhe përvetësimit të trojeve shqiptare deri në Prevezë, masakrimit dhe dëbimit të shqiptarëve në Çamëri, Greqia, duke shfrytëzuar klasën politike të korruptuar dhe anti-kombëtare të Tiranës, kërkon të zgjerojë hapësirën detare në drejtim të Shqipërisë, por edhe të zbatojë projektin e helenizimit të Jugut, me anë të marrëveshjeve të firmosura nga qeveritë shqiptare, për ngritjen e varrezave të ushtarëve fantazmë grekë në Shqipëri. Ndërsa Athina hidhet përpjetë nëse i përmendet çështja çame dhe ligji i luftës, nga ana tjetër ka arritur të bëjë pjesë të agjendës së bisedimeve me përfaqësuesit e shtetit shqiptar, vetëm çështjet që i intetesojnë asaj.

Në vitin 2009, Sali Berisha dhe Lulzim Basha firmosën në fshehtësi marrëveshjen anti-kombëtare, duke i falur Greqisë 350 km katrorë det. Pakti i tradhtisë u mbrojt fort nga Ilir Meta në Gjykatën Kushtetuese në vitin 2010. Berisha, Meta dhe Basha, së bashku me Edi Ramën, i cili po lejon ngritjen e varreve të ushtarëve imagjinarë grekë, kanë treguar se janë gati ta shesin Shqipërinë deri në Elbasan, vetëm për të qëndruar në pushtet. Sidomos Berisha, Basha dhe Meta janë në rangun e Ahmet Zogut dhe Esat Pashë Toptanit sa i takon shitjes së territoreve për interesat e pushtetit të tyre. Kush ka ende dyshime, të hapë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cili rrëzoi shitjen e detit dhe të shikojë dokumentet sekrete të Ambasadës Amerikane për këtë çështje.

Teksa shqiptarët nuk reagojnë dhe janë mpirë me propagandën e kokave të politikës shqiptare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqia janë angazhuar për të mbrojtur integritetin territorial të Shqipërisë. Këtë angazhim e konfirmon edhe ky kabllogram sekret që Ambasada Amerikane ka dërguar Departamentit Amerikan të Shtetit, duke e informuar për lëvizjet e Berishës në shitjen e detit dhe planin për të mbajtur larg negociatave SHBA-në.

Kabllogrami me kod 08TIRANA745, i tetorit 2008 është klasifikuar si konfidencial, mban titullin: “Greqia i bën presion Shqipërisë mbi çështjet e kufirit dhe varrezave”.

Në kabllogram sqarohet se si Athina i ka bërë presion Berishës që të shmangeshin amerikanët nga negociatat.

“Gjatë një seance bisedimesh së fundmi në Tiranë, zyrtari grek në krye të delegacionit i dha palës shqiptare një ultimatum. Qeveria greke mund të tregohet e gatshme për një kompromis mbi kufirin detar pranë Korfuzit (ndoshta për shkak të interesit ushtarak ekzistues amerikan për ndërtimin e një baze ushtarake të SHBA-së në Jal, Shqipëria e Jugut). Gjithsesi, zyrtari grek paralajmëroi delegacionin shqiptar për të plotësuar kërkesën tjetër, atë për të mbajtur ‘fuqitë e largëta’, konkretisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jashtë bisedimeve”, thuhej në raportin diplomatik.

Në një tjetër kabllogram të vitit 2009, Ambasada Amerikane i raporton DASH se Berisha e shiti detin “Zona në fjalë është strategjike dhe ka potencial për turizëm dhe naftë. Disa vëzhgues thonë se ky koncesion është bërë nga qeveria në shkëmbim të ratifikimit nga ana e Greqisë të Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit,” thuhet në kabllogram. Në të thuhet se Berisha e Karamanlis zhvilluan një takim kokë më kokë dhe asnjë detaj nuk doli në dritë.

“E kombinuar me marrëveshjen për detet, marrëveshjen për varrezat e ushtarëve grekë, ratifikimin e MSA dhe anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duket se çështjet kryesore bilaterale janë zgjidhur. Megjithatë, ndërsa qeveria dhe grekët janë të kënaqur, shumë shqiptarë nuk janë, gjykuar kjo nga reagimi i medias dhe disa liderëve politikë. Marrëveshja për kufijtë detarë ka provokuar një valë dyshimesh në lidhje me motivet e vendimit dhe se si Shqipëria ia dha gjithçka Greqisë sipas kërkesave të saj. Grekët dolën pa lagur edhe nga çështja e ndjeshme çame. Qeveria duket se nuk ka ndërmend ta ndjekë këtë çështje pasi rreth 600 mijë shqiptarë punojnë atje dhe Greqia është partneri i dytë tregtar për Shqipërinë. Mbi të gjitha, kjo duket një vizitë e mirë për Greqinë,” thuhet në komentin e kabllogramit.

Amerikanët, për interesa të Shqipërisë, kërkuan të ishin pjesë e bisedimeve mes negociatorëve shqiptarë dhe atyre grekë për caktimin e kufijve detarë. Por, pas një ultimatumi të Athinës, dyshja Berisha dhe Basha e kanë shmangur ambasadën amerikane në Tiranë nga bisedimet, ndërsa nënshkruan në fshehtësi pazarin për shitjen e detit.

Një nga kushtet kryesore të palës greke, ka qenë mbajtja e SHBA larg negociatave dhe ky kusht është plotësuar nga qeveria Berisha. Ky konflikt ka qenë pjesë e bisedimeve të ish-ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu me Myslim Pashaj, i cili kundërshtoi fort paktin e Berishës dhe Bashës në Gjykatën Kushtetuese. Takimi u zhvillua në shkurt të 2013. Në takimin me dyer të mbyllyra, Arvizu tha se Berisha kishte tradhtuar jo vetëm interesat e Shqipërisë, por edhe interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke firmosur shitjen e detit në mënyrë të fshehtë.

Teksa ka vlerësuar të gjithë faktorët politikë që denoncuan dhe iu kundërvunë marrëveshjes detare, ambasadori amerikan ka dënuar pazaret e qeverisë shqiptare me Athinën për ujërat detare. Po ashtu, ambasadori amerikan ka komentuar edhe mënyrën se si qeveria shqiptare shmangu SHBA nga negociatat me palën greke, pas presioneve të Athinës. Arvizu ka deklaruar gjithashtu se nëse ambasada amerikane në Tiranë do të kishte qenë pjesë e negociatave, marrëveshja do të ishte bërë transparente dhe nuk do të kishte kaluar në Kuvend.

Për të ndaluar shitjen e detit, ka kontribuar edhe Turqia, të cilës nuk i intereson zgjerimi i Greqisë. Vetë Sali Berisha ka akuzuar Turqinë se ka ndërhyrë për të rrëzuar paktin e tij dhe të Bashës me Athinën. Madje Berisha e konsideroi rrëzimin e shitjes së detit nga ai, një akt tradhtie.

“Bashkë me gjykatën kanë kryer një akt të tradhtisë kombëtare. Një gjë ju kërkoj. Lexoni vendimin e gjykatës. Nëse gjeni një konkluzion të bazuar në ekspertizë, 100 herë ndjesë ju kërkoj. Asnjë ekspertizë. I vetmi dokument që është marr për bazë, është harta e një falsifikatori që i mbush xhepat tjetërkujt”, tha Berisha.

Disa javë më parë, mediat turke theksuan se ishte ndërhyrja e autoriteteve të Turqisë ajo që çoi në rrëzimin e marrëveshjes së detit “duke i dhënë kështu fund planeve të Greqisë në detin Jon“.

“HaberTurk”, media pranë qeverisë në Turqi tha se autoritetet turke njoftuan autoritetet shqiptare duke iu thënë tekstualisht se “Greqia po ju mashtron”. Ndër të tjera, HaberTurk shkruan se “Ekspertët konfirmojnë se Greqia synoi të përdorë të njëjtën skemë edhe me Shqipërinë, duke i njohur ishujve shumë pranë territorit një Zonë Ekskluzive Ekonomike të barabartë me tokën. Përballë kësaj situate ne njoftuam palën shqiptare duke bërë që Greqia të mos marrë asnjë rezultat nga një tentativë e tillë. Pas anulimit të marrëveshjes me Shqipërinë, Greqia ktheu sytë nga zona detare në jug të Kretës duke kërkuar për gaz”.

Pas rrëzimit të Berishës nga pushteti, tashmë SHBA dhe Turqia po mbajnë nën vëzhgim Edi Ramën, për të mos lejuar pazare me Greqinë në dëm të Shqipërisë. Rama po lejon ngritjen e varreve imagjinarë të gjoja ushtarëve grekë, ndërsa ende nuk ka firmosur asgjë për detin.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit