Shqiptarët u sëmurën më shumë në 2023, plakja e popullsisë faktor kryesor

Shqiptarët u sëmurën më shumë në 2023,…

Viti 2023 u shoqërua me një rritje të ndjeshme të personave që u diagnostifikuan nga mjekët me sëmundje kronike, të cilat kanë rritur nevojën për më shumë barna të rimbursueshme në pikat farmaceutike të vendit.

Sipas një raport monitorimi të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë, për periudhën janar-gusht 2023, rritja numrit të pacientëve që u sëmurën natyrisht ishte 5.9% më e lartë se sa e njëjta periudhë e vitit 2022. Kjo pasojë ka si shkak disa faktorë sipas ekspertëve të shumtë të shëndetësisë.

Ata tregojnë se rritja e sëmundjeve kronike është ndikuar fillimisht nga plakja e popullsisë dhe pandemia e COVID-19 që kaloi vendi ynë në vitin 2021. Pikërisht janë këto arsye që kanë ndikuar në uljen e imunitetit të shqiptarëve.

Popullsia e vendit po plaket nga viti në vit, duke u ndikuar dhe nga numri në rënie i lindjeve që po tkurr rigjenerimin e shoqërisë. Nga të dhënat e INSTAT për Shqipërinë, rezulton se në vitin 2019 lindën 28,5 mijë foshnje. Ky numër ra një vit më vonë në 28 mijë, duke ndjekur trend më të thellë rënie në vitin 2021 me vetëm 27,2 mijë lindje. Viti 2022 solli rënie akoma më të madhe të lindjeve vetëm 24,6 mijë, që krahasuar me vitin 2021 është 9.2% më pak.

Emigrimi i madh i rinisë, braktisja e vendit, gjendja e vështirë ekonomike dhe sociale e shoqërisë shqiptare duket se ka stepur krijimin e familjeve të reja, që ka ndikuar më pas në uljen e numrit të lindjeve. Çiftet e reja në ditët e sotme krijojnë familje gjithnjë e më të vogla, duke sjellë në jetë në shumicën e rasteve vetëm një fëmijë, që do të thotë se nuk mund të rigjenerojnë as veten e tyre dhe jo më për të shtuar numrin e popullsisë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit